Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka hedhur një sërë kritikash në drejtim të qeverisë Kurti, raporton Gazeta Blic.
Haradinaj thotë se kjo qeveri dhe Kurti janë të frikësuar nga dialogu dhe nga Amerika.
Tutje ai ka thënë se Qeveria Kurti është e zhytur në korrupsion.
“Zhytja në korrupsion përmes tenderomanisë, pra tenderë njëburimor, dhënia e punëve punëdhënësve të mëhershëm, i pasuar me familjarizëm, pra punësime të familjarëve në poste kyçe, e pastaj politizim i bordeve të kompanive. E gjitha kjo në funksion të një lidhjeje të shkurtër për korrupsion dhe veprime joligjore, e që janë alarm për Kosovën” shkruan Haradinaj në facebook.
Postimi i plotë:
Kjo është qeveria Kurti:
– Mbushja shpejt e arkës dhe shterimi i burimeve
– Frikësimi i kapitalit vendor, nxjerrja jashtë e tij dhe si rezultat ulja e investimeve.
– Armiqësimi me sektorin privat dhe si rrjedhojë thellimi i mosbesimit të tyre dhe mospërkrahja nga ana e tyre e qëllimeve ekonomike
– Lufta kundër UÇK-së, e zhvilluar si luftë ndaj pushtetit të keq të dy dekadave, e që si pasojë ka zbehjen e patriotizmit dhe të ndjenjave atdhetare për shtet.
– Në politikë të jashtme, i frikësuar nga dialogu dhe i frikësuar nga Amerika.
– Në siguri dhe rend publik, improvizime dhe lëvizje eksperimentale, kryesisht populiste, përfshirë edhe luftën kundër krimit.
– Politizim i iniciativave ligjore me agjendë partiake.
– Mosimplementim i pavarësisë energjetike dhe faturimi i energjisë në Veri, si rezultat pagesa e dhjetëra milionave për rrymën e shpenzuar në Veri.
– Refuzim dhe dëmtim i mundësive investive në energji, i projekteve si Kosova e Re, Contour Global 500 MW dhe Gazsjellësi Amerikan me 200 milionë dollarë falas.
– Zhytja në korrupsion përmes tenderomanisë, pra tenderë njëburimor, dhënia e punëve punëdhënësve të mëhershëm, i pasuar me familjarizëm, pra punësime të familjarëve në poste kyçe, e pastaj politizim i bordeve të kompanive. E gjitha kjo në funksion të një lidhjeje të shkurtër për korrupsion dhe veprime joligjore, e që janë alarm për Kosovën.
– Sulmet e ulëta nga militantët imagjinarë në internet, të paguar me parat e buxhetit të popullit, e tregojnë fytyrën e kësaj Qeverie. Të gjitha këto sulme vijnë si rrjedhojë e mungesës së vizionit dhe të pafuqisë me veprim qeverisës.
– Mosbuxhetimi dhe mosmiratimi i ligjit të pagave dhe lufta kundër sindikatave, poashtu është alarm në vete.
Pra mund të themi që majtizmi ekstrem po e dërgon Kurtin dhe Vetëvendosjen drejt luftës së klasave dhe në luftë kundër aleatëve, që nënkupton po ia vështirëson Kosovës mundësinë e ecjes përpara!
RH