Lideri i AAK-së, njëherësh deputeti Ramush Haradinaj, ka thënë se sot në Kuvendin e Kosovës është kthyer Rrahman Morina dhe UDB-ja, derisa Lista Serbe ka votuar bashkë me VV-në për projektligjin për pagën minimale, pa përfshirë veteranët e luftës, raporton Gazeta Blic.
Ai tha se kjo është pamja më e keqe e Kosovës dhe se do të vazhdojnë ta kundërashtojnë këtë.
“U përkrah nga Lista Serbe, me duar përpjetë Lista Serbe-Vetëvendosje, me miratu një ligj i cili i përjashton kategoritë e lirisë, UÇK-në, nga një pagë minimale pra nuk po bëhet fjalë për çfarëdo shpërblimi apo rritje por të paktën të përfshihen në pagën minimale. Pra sot jemi dëshmitarë që në parlamentin e Kosovës është rikthyer Rrahman Morina, UDB-ja dhe Lista Serbe kanë votuar. Është pamja më e turpshme që ka mundur t’i ndodhë Kosovës. Shprehim mospajtimin e thellë sot dhe do ta vazhdoj këtë mospajtim së bashku me të gjithë ata që nuk pajtohen me një veprim të tillë”, deklaroi Haradinaj./Gazeta Blic/


