Lajme

Haradinaj pas reduktimeve: Kujt ia kishte borxh qytetari i Kosovës terrin pas 20 vjetësh?

12/23/2021 13:22
nga:M K

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar sërish lidhur me situatën energjetike në vend.

Pas kthimit të reduktimeve, ai ka bërë disa pyetje lidhur me këtë gjendje.

Haradinaj ia ka përmendur Kurtit dhe VV’së edhe projektin për gazjellësin amerikan, që u refuzua.

“Ku i kishte mendtë Kurti e VV-ja kur e kundërshtonte me forcë investimin 1.2 miliardë dollarë për 500 megavatë energji, të çmimit deri në 86 euro për megavat, investim që do të hapte vende të punës dhe do ta kthente Kosovën në fuqi rajonale të energjisë?

Ku i kishte mendtë Kurti e VV-ja kur e refuzuan investimin amerikan, 200 milionë dollarë falas, të aprovuara nga Presidenti Biden për gazsjellësin Shkup – Prishtinë?”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka pyetur se pse nuk është punuar gjatë verës për rritjen e kapacitetit të prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë gjatë verës, por e pritën dimrin.

Tutje, Haradinaj ka pyetur se kujt ia kishte borxh terrin qytetari i Kosovës. Ai ka pyetur edhe se si do të jetë dimri i ardhshëm “me këta njerëz e me këtë mendësi të tyre”.

“Ku i kishin mendtë Kurti e VV-ja gjatë verës që nuk u morën me KEK, KOSTT, KEDS e KESCO, për të rritur kapacitetin e prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë, por e pritën dimrin e ftohtë? Ku i ka sot mendtë Kurti e VV-ja, kur paguan deri në 620 euro për megavat nga tregjet e shteteve fqinje?

Kujt ia kishte borxh qytetari i Kosovës terrin pas 20 vjetësh? A e kanë meritu ata që e votuan VV-në dhe Kurtin? A ia kishin borxh Kurtit terrin dhe të ftohtit? Për këtë dimër po e shohim, reduktime, terr, të ftohtë. Si do të jetë dimri i ardhshëm me këta njerëz e me këtë mendësi të tyre?”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe, KEDS’I ka thënë se situata me reduktime do të mbizotërojë gjatë 24 orëve të ardhshme, ndërsa për ditët në vijim janë në pritje të instruksioneve nga KOSTT-i.

“Gjatë ditëve të fundit, sistemi elektroenergjetik i vendit është mbingarkuar tej mase. Të njëjtën kohë, duke u ballafaquar me krizën më të rëndë elektroenergjetike botërore, Operatori i Tregut- KOSTT, duke u bazuar në ligjet në fuqi, ka udhëzuar që të fillohet me kufizime të energjisë elektrike. Këto kufizime do të jenë rreth dy orë dhe do të prekin të gjithë konsumatorët në kohë të ndryshme, përveç atyre emergjentë.

Kjo situatë do të mbizotërojë gjatë 24 orëve të ardhshme, ndërsa për ditët në vijim në jemi në pritje të instruksioneve nga KOSTT-i dhe do të veprojmë konform tyre”, thuhet në njoftimin e KEDS.