Lajme

Haradinaj: Pa administratë të fortë nuk ka as shtet të fortë

12/11/2025 12:00
nga:G B

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përsëritur sot zotimin se administrata shtetërore do të jetë ndër prioritetet kryesore të Programit të Aleancës. Në një takim me Sindikatën e Pavarur të Administratës së Kosovës dhe kryetarin e saj, Ali Gashi, Haradinaj theksoi se shteti nuk mund të jetë i qëndrueshëm pa një shërbim civil të motivuar dhe të respektuar.

“Pa një administratë të fortë nuk ka as shtet të fortë,” u shpreh Haradinaj, duke shtuar se aktualisht shumë punëtorë të administratës nuk kanë motivim, sepse “nuk paguhen si duhet dhe nuk respektohen sa meritojnë”.

Ai njoftoi se, me ardhjen e AAK-së në qeveri, shërbimi civil do të ketë pagën më të lartë në rajon, si dhe mbrojtje të plotë juridike si shërbyes të shtetit.

Haradinaj tha se ky zotim është pjesë thelbësore e vizionit të Aleancës për një shtet funksional dhe efikas, ku dinjiteti i nëpunësit publik vendoset në qendër të reformave.