Lajme

Haradinaj: Nuk duhet ta dramatizojmë shumë prishjen e marrëdhënieve me SHBA-të

02/05/2025 22:14
nga:Y I

Meliza Haradinaj, ish-ministrja e Punëve të Jashtme, ka thënë se deklarata e Richard Grenell se Kosova nuk i ka punët mirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është shqetësuese.

Në emisionin Rubikon ajo ka deklaruar se Grenell është prej personave që e informon presidentin amerikan Donald Trump për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Është problematikë dhe shqetësuese fakti që Richard Grenell është personi më i afërt që e njeh rajonin, dhe është presoni mos të themi i vetmi që Trump e merr parasysh për të marrë vendimet në të ardhmen”.

“Këtë e ka bërë në të kaluarën dhe padyshim se në të ardhmen Grennell, qoftë nëse e mbulon nga kjo pozitë Kosovën, qoftë nga çfarëdo pozite tjetër që ndoshta nuk e përfshin fare Kosovën, Grenell do të mbetet personi që i informon të gjitha vendimet e ardhshme të Trumpit në katër vitet e ardhshme të kësaj presidence”, ka thënë Haradinaj.

Ndër tjera, ajo ka folur edhe për rishpërndarjen e deklaratës së Grenell nga djali i Trumpit, Donald Trump Junior.

“Qoftë nëse ky është qëndrim personal, qoftë nëse shndërrohet në një qëndrim zyrtar, shqetësuese është se ky është personi që do t’u japë formë vendimeve dhe qëndrimeve të Shtëpisë së Bardhë kënddrejtë Kosovës”.

“Sa i përket edhe djalit, padyshim se me Trump diplomacia tradicionale, strukturore, burokratike, që buron e informohet nga Departamenti i Shtetit, dhe kalon kohë më e gjatë deri të formësohet një qëndrim për dikë për një qeveri dhe shtet, kjo nuk vlen tani, qëndrimet lëshohen me një ‘tëeet’ dhe automatikisht bëhen edhe qëndrime të shtetit”.

Haradinaj ka shtuar se Presidenca e Kosovës, për dallim nga Qeveria, i ka marrëdhëniet e mira me Kosovën.

“E kemi presidencën në Kosovë që asnjëherë nuk i ka pasë dyert e mbyllura në ShBA, e shohim që edhe sot presidentja është në takime, ka qenë ndër lideret e para të botës që e ka takuar edhe Trump edhe Elon Musk, dhe shumë njerëz të rëndësishëm të kësaj administrate”.

“Prandaj, nuk duhet ta reduktojmë dhe ta dramatizojmë aq shumë prishjen e marrëdhënieve, unë them që është e lënduar marrëdhënia, por nuk është e shkëputur fare siç pretendohet”, ka thënë Haradinaj.