Kreu i AAK, Ramush Haradinaj thotë se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese konfirmon se gjendja aktuale në vend përbën rrezik serioz për funksionimin kushtetues dhe institucional të shtetit, raporton GazetaBlic.
Haradinaj thotë se këtë gjë e kishte theksuar edhe AAK në kërkesën e saj të parë drejtuar Gjykatës, ku thekson se atëherë Gjykata nuk e shqiptoi masën e përkohshme.
“Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese konfirmon se gjendja aktuale në vend përbën rrezik serioz për funksionimin kushtetues dhe institucional të shtetit. Pikërisht këtë e kishte theksuar edhe AAK në kërkesën e saj të parë drejtuar Gjykatës.Fatkeqësisht, atëherë Gjykata nuk e shqiptoi masën e përkohshme, ndonëse kushtet ishin pothuajse identike me ato që vetë i ka pranuar tani. Në aktgjykimin e fundit, Gjykata konstaton se situata përbën rrezik real për rendin kushtetues, por megjithatë nuk kishte vendosur masën e kërkuar nga AAK”, ka shkruar Haradinaj.
Ai tutje shton se kjo vonesë e pajustifikueshme vetëm sa ka shtuar paqartësinë dhe krizën kushtetuese në vend.
Haradinaj shton se sot ndërhyrja e Gjykatës mund të ketë ardhur teper vonë për të parandaluar pasojat që mund të ishin shmangur në kohë.
“Kjo vonesë e pajustifikueshme vetëm sa ka shtuar paqartësinë dhe krizën kushtetuese në vend. Sot ekziston frika reale se ndërhyrja e Gjykatës mund të ketë ardhur tepër vonë për të parandaluar pasojat që mund të ishin shmangur në kohë, sikur ajo të kishte vepruar me përgjegjësi në momentin kur u paraqit kërkesa jonë”, përfundoi ai.


