Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj ka premtuar se me të në krye të qeverisë, Kosova shumë shpejt do të anëtarësohet në NATO.
Ai në intervistën e tij në Radio Televizionin e Kosovës, përmendi Ligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare të nënshkruar ditë më parë nga presidenti amerikan, Donald Trump, pjesë e së cilit është edhe Kosova, duke thënë se disa prej neneve të përfshira aty, i kishte kërkuar ai përmes shkresave që kishte dërguar këtë fillimvit në Uashington.
“Disa nene që janë aty realisht i kam kërkuar në fillim të këtij viti me shkresa edhe pse ka pasur skeptik e dilema. Përfshirja e Kosovës në këtë ligj, në nene, dhe ideja e anëtarësimit dhe mundësia e anëtarësimit të Kosovës në NATO ekziston edhe skeptikët duhet ta heqin këtë, mirëpo çështja mbetet tek aftësia jonë, zotësia jonë për t’u anëtarësuar, që nëse jemi më të zotët e shkurtojmë kohën dhe i shkurtojmë pasojat. Unë besoj që këtë temë e kryejmë, e kryejmë në kohë. Nëse bëhem kryetar i qeverisë iu premtoj qytetarëve të vendit që më shpejt se sa pritet dhe më sigurt, më dobishëm dhe me efekte më të mira, anëtarësohemi në NATO”, tha ai.
Në këtë intervistë në RTK, Haradinaj tha se në dokumentin që ka dërguar në Uashington, një prej kaptinave kryesore tha se është moskthimi në idetë e vjetra të ndërrimit të territoreve apo kufijve.
“Pra një prej kërkesave direkte është e shkruar, ai dokument ekziston, është i dorëzuar zyrtarisht atje. E kam pasur shumë me rëndësi ta sqaroj herët para se të fillonte kjo administratë, se sa me rrezik është një ide e tillë, sepse do të krijojë pastaj precedent të luftërave, dhe ne do të duhet me luftë për të mbrojtur kufirin. Është një rezultat i punës të gjithëve që janë angazhuar që të mos vihet deri këtu”, tha ai.
Sipas Haradinajt, suksesi i anëtarësimit në NATO, nënkupton në të njëjtën kohë edhe mbyllje e dialogut me Serbinë me njohje reciproke. “Dhe mbyllje e çdo mundësie të rrezikimit të Kosovës qoftë në territor, sovranitet, qoftë në rend kushtetues, apo çfarëdo kërcënime terroriste, e të tjera”, tha ai.
Kreu i AAK-së tha se çështjet e sigurisë nuk duhet të bëhen ndaras nga aleatët e, sipas tij, kur është siguria në pyetje duhet të bëhet kujdes, të merret vlerësimi përpara. Ai tha se arti i ecjes përpara nuk duhet të jetë në interes ditor.
“Ne i kemi mirëpritur veprimet e institucioneve tona të rendit e ligjit në veri, por na ka shqetësuar pse duhet të arrihet në situatën ku ne ndëshkohemi. Kjo ndërprerja e dialogut, nuk besoj se është për shkak që ne zbatojmë rend e ligj në veri, por ndoshta të marrëdhënieve jo kredibile në proces. Është dashur të bëhet kujdes në proces, sepse në kufi ushtarët amerikan na ruajnë. Për 400 kilometra kufi me Serbinë garancën e jep Amerika”, tha ai.


