Kandidati për kryeministër nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për kontratat njëburimore, duke i cilësuar veprimet e tyre si të kundërligjshme.
Në një intervistë në ‘Politiko’, Haradinaj ka akuzuar qeverinë Kurti për ‘vjedhjen’ e tenderëve, ndërsa ka thënë se shumë prej tyre do të përfundojnë në burg për korrupsion.
Madje, ai ka përmendur edhe përplasjet e Kurtit me institucionet e drejtësisë në vend.
“Unë besoj që shumë prej tyre kanë me përfundu në burg për tenderët njëburimorë. Sa here që prokuoria e heton për korrupsion, a e keni vërejt që Kurti e sulmon prokurorinë”, ka thënë Haradinaj.
I pyetur se a mund të përfundojë kryeministri aktual në burg, Haradinaj është shprehur i bindur se ai është i përfshirë në korrupsion dhe se për këtë duhet të përfundojë në burg.
“Kurti është kandidat shumë serioz me përfundu në burg për korrupsion”, ka thënë Haradinaj para mërgatës në Gjermani.