Lajme

Haradinaj kujton të rënët në Vushtrri e Suharekë 23 vjet më parë: Nuk do të ndalemi duke kërkuar drejtësi

05/03/2022 12:02
nga:G B

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar të rënët e masakrës në Studime të Vushtrrisë dhe në Bukosh të Suharekës, 23 vjet më parë.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se kujtimi për ta mbetet i përhershëm dhe se dhimbja për ta do të na shoqërojë tërë jetën, përcjell Gazeta Blic.

Haradinaj ka shtuar se sakrifica e dhënë në luftë na obligon të mos ndalemi asnjëherë së kërkuari drejtësi dhe ndëshkim të atyre, që urdhëruan gjenocidin kundër popullit shqiptar.

Postimi i tij i plotë:

Dhembja për më të dashurit, do të na përcjellë tërë jetën, si shoqëri e si komb.

Përulemi me respekt para të rënëve me 2 maj në Studime të Vushtrrisë dhe me 3 maj në Bukosh të Suharekës, njëzetetre vjet më parë.

Barbarët nxorën nga kolona qindra njerëz që kishin marrë udhën për në Shqipëri, duke mos kursyer as te miturit e as gjyshërit. Familje të tëra, kanë dhënë nga gjaku i tyre për lirinë e Kosovës, e sa pak kemi bërë si shoqëri e shtet për ta.

Kjo sakrificë na obligon të mos ndalemi asnjëherë së kërkuari drejtësi dhe ndëshkim të atyre, që urdhëruan gjenocidin kundër popullit shqiptar. E drejta për viktimat asnjëherë s’do të jetë e plotë por duhet të jemi të bashkuar në kërkimin e saj. Gjithmonë duke ndarë dhembjen me ata që humbën të dashurit, duke ndjerë atë dhembje, e duke e nderuar e mbrojtur vlerën që u krijua nga sakrifica e të rënëve.

Kujtimi për ta mbetet i përhershëm.