Lajme

Haradinaj kujton ngjarjet e 21 dhe 22 prillit: Kthesë në rrugëtimin tonë për liri

04/22/2021 10:17
nga:Q R

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka kujtuar ngjarjet e 21 dhe 22 prillit, data këto të shënuara në historinë e lavdishme të Kosovës si kthesë në rrugëtimin e shqiptarëve për liri.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka kujtuar Armend Dacin nga Irzniqi i Deçanit, një student i notave dhjetëshe, i angazhuar në celulat e para të UÇK-së.

“Kujtuam dje 21 prillin si datë që shënon disa ngjarje që bënë kthesë në rrugëtimin tonë për liri. Armend Daci nga Irzniqi i Deçanit ishte student i dhjetësheve. Ai do të angazhohej në celulat e para të UÇK-së dhe ishte i afërt me sot Heronjtë e Kombit, Adrian Krasniqi e Edmond Hoxha. Pikërisht, atij do t’i organizohej atentati përderisa po kthehej në banesën e tij në Prishtinë. Që të nesërmen e rënies së tij, me 22 prill 1996, u organizuan disa sulme kundër personelit të sigurisë serbe në disa pjesë të Kosovës”.

“Dy vite më pas, kur lufta për liri kishte marrë hov, forcat e pushtuesit u thyen në Baballoq të Deçanit. Ata u përballën me vendosmërinë e trimave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët u bën mur mbrojtës i zonës së lirë, që e mbrojtën me trimëri e guxim”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka kujtuar edhe rënien e Isa Kastratit.

“Pikërisht në 21 prillin e vitit 1999, në Viti të Marecit, bashkë me shokët që tanimë ishin të plagosur në beteja, Afrim Vitinë e Sokol Sopin, heroikisht ra Isa Kastrati. Bashkëpunëtor i Adem Demaçit, i burgosur nga regjimi komunist jugosllav, ai do të vazhdonte me aktivitete politike në dobi të çlirimit të vendit, e më pas do të uniformohej dhe me pushkë në dorë do bashkohej me trimat luftëtarë në rajonin e Gollakut’.

“Pas rënies heroike, emrin e tij do ta mbante me krenari dhe do ta nderonte deri në ditën e fitores, Brigada 172 e Zonës së Karadakut. Përulemi para heroizmit të luftëtarëve të lirisë. Lavdi e përjetshme të rënëve!”, ka përfunduar Haradinaj.

LEXO EDHE:

Sali Berisha: Termi Shqipëri e madhe është fabrikacion serb