Lajme

Haradinaj kritikon Qeverinë për FSK-në: Nuk guxon të bëhet eksperiment me mënyrën se si iu sigurohet ushqimi

10/02/2024 15:10
nga:G B

Çështja e mënyrës së furnizimit me ushqim për FSK-në ka qenë ndër më aktualet, derisa pati dhe ankesa nga ushtarë për mungesë të supës, pijeve e ëmbëlsirave, si pjesë e shujtës që kanë pasur çdo ditë.

Për të furnizuar me ushqim personelin e FSK-së, Ministria e Mbrojtjes ka angazhuar kuzhinierë nga Mensa e Studentëve dhe nga burgjet, derisa kontrata me operatorin që ka furnizuar me ushqim ata ka përfunduar.

Lidhur me këtë, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se kjo dëshmon se qeveria s’ka logjikë të qeverisjes dhe se s’guxon të eksperimentohet me mënyrën se si iu sigurohet ushqimi atyre.

“Është dëshmi se pra logjika mungon, logjika bazë se si qeveriset një vend mungon. Nuk eksperimentohet në shumë çështje që kanë të bëjnë me sigurinë, logjika edhe me mënyrën si sigurohet ushqimi i personelit të sigurisë nuk guxon të bëhet eksperimente me të. Për fat të keq e dëshmon se ju mungon logjika qeverisëse, siç mungon logjika edhe në rastin e pensionistëve, rritja e inflacionit në këto katër vite është mbi 21 për qind, e s’ka rritje të pensioneve, s’ka ndodhur rritja”, deklaroi Haradinaj për Gazeta Blic.