Lajme

Haradinaj kritikon Kurtin: Paraqitja e tij në Bruksel dështim, qasja e Kryeministrit është qesharake

06/15/2021 16:29
nga:M K

Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kritikuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti në dialog.

Takimin e sotëm ndërmjet Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq, ai e ka quajtur dështim.

“Dështim i plotë i Kryeministrit Kurti në procesin e dialogut. Është e habitshme, pse njohja e Kosovës nuk është prioritet i tij. Prioritet i parë i tij na qenka shndërrimi i CEFTA-s në SEFTA. Qesharake. Ashtu si edhe prioriteti i dytë, marrëveshja për paqe mes dy vendeve, e po ashtu edhe qasja për të pagjeturit”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas tij, njohja reciproke është i vetmi rezultat që i duhet Kosovës nga ky dialog. Njohja nënkupton edhe paqen, edhe statusin më të avancuar ekonomik, por edhe hap shtigje për zbulimin e të vërtetës për të pagjeturit.

“Përndryshe, kjo qasje për të biseduar për tema, pa e njohur shtetet njëra tjetrën, siç kishte ndodhur më parë në procesin e dialogut, nuk ka rezultate, e në këtë fazë është edhe e rrezikshme për vendin”, ka shkruar Haradinaj.

LEXO EDHE:

Ekskluzive: Opozita e bindur që Vjosa Osmani shkeli Kushtetutën, nisin procedurat për gjykatë