Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj kryeministrit Kurti, derisa ka thënë se ai kur flet për korrupsion, vjen në shprehje fjala popullore “të vret natën e të vajton ditën”, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se Kurti që nga ardhja në pushtet ka vjedhur në mënyrën më tinëzare, duke vjedhur bukën me Ridin, me Nagipin rrymë e me Martinin ndërmjetësuan shitjen e rrymës serbe.
“E shpejtë do të jetë dita kur lufta e njëmendtë kundër korrupsionit do të fillojë e “vajtuesit e ditës” do të shihet se janë kriminelët më të mëdhenj të këtij vendi”, ka shkruar Haradinaj ndër të tjera në Facebook.
Postimi i tij i plotë:
Kur flet Kurti për korrupsionin sikur edhe për shumë tema tjera, vjen në shprehje ajo fjala popullore “të vret natën e të vajton ditën”. Që nga ardhja në pushtet Kurti dhe VV me mashtrime dhe në formën më tinëzare në mënyrë sistematike dhe tek resorët më të ndjeshëm vodhën popullin e Kosovës.
Me Ridin vodhën bukën e Kosovës atëherë kur kishte frikë botërore nga kriza e bukës. Me Nagipin vodhën rrymën në kohën kur në bursa çmimi kishte arritur majat e papara. Popullit ja dyfishuan çmimin, e Nagipin dhe Martinin që ndërmjetësuan në shitjen e rrymës serbe ende i mbrojnë dhe i mbajnë si heronj. Mbi 280 milionë euro para të popullit i larguan nga konkurrenca dhe ligji dhe me partnerë në krim i përdorën si me qenë plaçkë gjahu.
U mashtruan se kontratat e klasifikuara mbesin përgjithmonë të klasifikuara dhe u “fëlliqën” deri në atë masë sa blerjet e tyre rrezikojnë sigurinë e njerëzve të Kosovës. Asgjë nuk do të ndal deklasifikimin e këtyre kontratave dhe asgjë nuk do të ndal konfrontimin e hajnive të tyre me qytetarin e Kosovës. E shpejtë do të jetë dita kur lufta e njëmendtë kundër korrupsionit do të fillojë e “vajtuesit e ditës” do të shihet se janë kriminelët më të mëdhenj të këtij vendi.


