Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, iu bashkua sot partnerëve të Koalicionit në një konventë politike të Nismës Socialdemokrate, duke theksuar rëndësinë e bashkimit të figurave të dëshmuara që kanë kontribuar në historinë e Kosovës, raporton GazetaBlic.
Haradinaj shprehu bindjen se ky koalicion është opsioni i vetëm për arritjen e synimeve të vendit dhe për ta bërë realitet vizionin për një Kosovë Fituese, një ëndërr që ka udhëhequr shumë gjenerata.
Ai theksoi se anëtarësimi në NATO është jo vetëm një aspiratë, por një proces konkret që do të realizohet përmes një Plani Aksional të detajuar.
Haradinaj garantoi se ky plan do të sjellë kthesën e madhe për Kosovën, duke sjellë përfitime të mëdha në siguri, ekonomi dhe çdo sferë tjetër të jetës.
Ai siguroi qytetarët se do të bëhet realitet, duke nënvizuar se nuk janë vetëm fjalë, por një angazhim konkret, ashtu siç ka dëshmuar gjithmonë angazhimi i tij dhe i koalicionit.
E plotë:
Iu bashkova sot partnerëve të Koalicionit në konventën politike të Nismës Socialdemokrate.
Koalicioni ynë, i përbërë nga figura të dëshmuara që kanë lënë gjurmë të pashlyera në historinë e lavdishme të Kosovës, është opsioni i vetëm për të arritur synimet tona dhe për ta bërë realitet një Kosovë Fituese, ëndërr e shumë gjeneratave.
Anëtarësimi direkt në NATO, jo vetëm si aspiratë, por edhe si proces përmes Planit Aksional, do të sjellë kthesën e madhe – jo vetëm në siguri, por edhe në ekonomi dhe në çdo sferë tjetër të jetës.
Ju sigurojmë se do ta bëjmë realitet. Nuk është veç fjalë. Çdo herë kemi dëshmuar se mund ta bëjmë!