Lajme

Haradinaj kërkon unitet për planin evropian: Shënon kapitull për njohjen ‘de jure’ të Kosovës, ka qenë më e mira e mundshme

02/28/2023 17:56
nga:G B

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se është mirënjohës për angazhimin e SHBA-ve për Kosovën, teksa ka thënë se kontributi amerikan ka qenë jetik edhe për pranimin e planit evropian, raporton Gazeta Blic.

Ai ka thënë se ky propozim ka marrë përkrahjen e tij dhe të AAK-së pasi është kapitull i rëndësishëm për njohjen de jure të Kosovës.

Haradinaj ka shtuar se nevojitet unitet politik, teksa ka shprehur besim në ShBA-të dhe në aleatët perëndimorë për përmbylljen e marrëveshjes që garanton Kosovën shtet të pavarur e sovran dhe me perspektivë të qartë integruese euro-atlantike.

Postimi i tij i plotë:

Mirënjohës dhe falënderues për angazhimin e jashtëzakonshëm të ShBA-ve në mbështetje të Kosovës në të gjitha fazat e lirisë dhe të shtetndërtimit. Kontributi amerikan ishte i një rëndësie jetike edhe për pranimin e propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi që është edhe garancë sigurie dhe prosperiteti për vendin.

Ky propozim e ka marrë mbështetjen time dhe të AAK-së, sepse kemi vlerësuar se shënon një kapitull të rëndësishëm për njohjen edhe ‘de jure’ të Kosovës. Vlerësoj se kjo ka qenë më e mira e mundshme. Kjo mbështetje është bërë ekskluzivisht për vendin dhe pa kurrfarë kalkulimi elektoral.

Këto janë momente jetike për të ardhmen e Kosovës, prandaj kërkohet një unitet politik, i cili në asnjë rrethanë nuk mund të kuptohet si mbështetje për individin.

Gjithmonë do të kemi kohë t’i diskutojmë kusuret e Kryeministrit dhe të qeverisjes së tij katastrofike në planin e brendshëm. Natyrisht, mbetet edhe shumë punë për tu bërë, në mënyrë që krejt ky proces kaq i rëndësishëm, të mos degradojë e të finalizohet me sukses.

Kjo kërkon kujdes e përgjegjësi, që të sqarohen e të adresohen gjitha shqetësimet e mundshme të opinionit publik që kanë të bëjnë me aneks-marrëveshjen e cila ende nuk është bërë publike.

Unë kam besim në ShBA-të dhe në aleatët perëndimorë, se do të na ndihmojnë si edhe deri sot, që ta përmbyllim marrëveshjen që garanton Kosovën shtet të pavarur e sovran dhe me perspektivë të qartë integruese euro-atlantike.