Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për rrëzimin qeverisë që drejtohet nga Albin Kurti, raporton Gazeta Blic.
Sipas Haradinajt, shumë zyrtarë qeveritar dhe persona të afërt me qeverinë e partinë në pushtet, janë të përfshirë në skandale nga më të ndryshme
“Thirrja e seancës së jashtëzakonshme për shkarkimin e qeverisë përmes mocionit të mosbesimit, është zgjidhja e vetme për të shpëtuar vendin dhe për t’i hapur rrugë qeverisë së unitetit kombëtar dhe zgjedhjeve të reja”. Ka shkruar ai ndër të tjera.
Reagimi i plotë Haradinajt:
Degradimi i qeverisë ka arritur në përmasa enorme, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm.
Përderisa kaq shumë zyrtarë qeveritar dhe persona të afërt me qeverinë e partinë në pushtet, janë të përfshirë në skandale nga më të ndryshmet, të padëgjuara më parë në Kosovë, atëherë akuzat drejtohen vetëm në një adresë.
Koka dhe udhëheqësi i tyre, është pikërisht ai që i ka angazhuar dhe i ka veshur me pushtet e përgjegjësi, kryeministri i vendit dhe kryetari i VV-së, Albin Kurti.
Duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me një njeri të sëmurë për pushtet, të papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm, e që nuk dorëhiqet, obligohet mobilizimi i të gjithë atyre që e dojnë Atdheun dhe që përfaqësojnë interesat e vendit dhe qytetarëve, pa dallime partiake.
Thirrja e seancës së jashtëzakonshme për shkarkimin e qeverisë përmes mocionit të mosbesimit, është zgjidhja e vetme për të shpëtuar vendin dhe për t’i hapur rrugë qeverisë së unitetit kombëtar dhe zgjedhjeve të reja.


