Ish-deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, i ftuar në Blic Interview me Astrit Gashin, ka folur në lidhje me kidnapimin që ju bë dje tre policëve në veri të vendit.
Haradinaj tha se pamjet ishin jo-krenare dhe se ata që e kanë bërë këtë akt janë mbetje të logjikës millosheviçiane.
“Pamje e djeshme ishte njëfarë degradimi, poshtërim i uniformës së institucionit të sigurisë, ndërsa në anën tjetër shpërfaqi edhe frymën kriminale që ka Serbia. Megjithatë duhet të jemi të qartë se situata në të cilën është tani pjesa veriore në një gjendje të mobilizimit të lartë të forcave të rendit. Nuk e di sa kanë qenë të vetdijshëm ata djem, ndoshta edhe e kanë neglizhu të qenit afër kufirit. Pamjet ishin jo-krenare as për ne qytetarët e Kosovës. Ato janë disa mbetje të logjikës millosheviçiane në pushtetin e Serbisë sepse i njëjti njeri që qeveris Serbinë ishte ministër i Millosheviçit. Por pse erdhëm deri tek kjo situatë, dhe për këtë arsye nuk duhet të gjejmë forcë ose mënyrë me i fajësu policët. Duhet ta bëjmë me dije se ajo është fytyra e vërtet e Serbisë dhe është neglizhenca e pushtetit në Kosovë, që deri diku policët tanë i konsideron si ‘mish për top'” tha Haradinaj.
Ai tutje theksoi se ka një frymë anti-kryeministër dhe një zhgënjim të Bashkësisë Ndërkombëtare me sjelljen e tij.
“Edhe gjuha e përdorur sidomos prej shtatorit kur ishte koha e targave, e kemi demostruar para aleatëve tanë se ne jemi mjaftueshëm të fortë me kapacitete të plota për me e mbrojt Kosovën dhe po shihet që nuk qëndron, po shihet se pa NATO-n pa SHBA-në jemi shumë shumë në pozitë të dobët përballë Serbisë. Kjo është më e dhimbshme se po shihet që ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar, qëndrimet e tyre publike pothuajse nuk janë askund në horizont. Kishim një deklaratë sikur asgjë nuk ka ndodhur nga ana e Bashkimit Evropian nga ana tjetër komandanti i KFOR pas takimit me Vuçiqin as që e përmendi kidnapimin e policëve . Po shihet që është një frymë anti-kryeministër në aspektin ndërkombëtar. Unë më shumë e shoh një zhgënjim të Bashkësisë Ndërkombëtare me sjelljen e kryeminsitrit dhe si pasojë e kësaj është edhe kidnapimi i policëve” tha Haradinaj për “Gazeta Blic”


