Lajme

Haradinaj i përgjigjet Kusarit, publikon fjalimin pasi VV dhe Lista Serbe votuan kundër veteranëve në Kuvend: Rrahman Morina do t’i kishte lakmi

07/13/2023 09:18
nga:G B

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas publikimit të audio-incizimit të Mimoza Kusarit me Slavko Simiq, në të cilin flasin edhe për veteranët dhe listat e fryra të tyre, derisa Kusari e përmend Haradinajn si përgjegjës për këtë, raporton Gazeta Blic.

Haradinaj ka publikuar në Facebook fjalimin e tij një vit më parë në Kuvendin e Kosovës, pasi VV dhe Lista Serbe kishin votuar kundër përfshirjes së veteranëve në Ligjin për Pagën mininale.

“Fjala ime para një viti, pikërisht në ditën kur Vetëvendosje dhe Lista Serbe në koordinim votuan kundër që veteranët të përfshihen në ligj”, shkruan ai.

Haradinaj ishte shprehur se ajo pamje ka qenë e turpshme që VV dhe Lista Serbe të votojnë kundër veteranëve, teksa ka shtuar se edhe Rrahman Morina do t’i kishte zili Kurtin e Konjufcën për këtë veprim.

“Sot është një ditë e çuditshme në Kosovë, në Parlamentin e Kosovës. Jam i bindur që edhe Rrahman Morina do t’ia kishte marrë lakmi Glauk Konjufcës sot edhe Albin Kurtit, ku kanë mbërri, se e kanë lënë mbrapa edhe atë. Sot e kemi parë një fitore të fëmijëve të udbashëve ose të UDBA-s. Pra, edhe më votën e Listës Serbe, pra transparent me duart përpjetë Lista Serbe e Vetëvendosje me votu një ligj në të cilin i përjashtojnë kategoritë e lirisë, UÇK-në, nga një pagë minimale. Pra nuk po bëhet fjalë për çfarëdo shpërblimi apo rritje por të paktën të përfshihen në pagën minimale. Pra, sot jemi dëshmitarë që në parlamentin e Kosovës është rikthyer Rrahman Morina, UDBA dhe Lista Serbe e kanë votuar bashkë. Pamja më e turpshme që ka mundur t’i ndodh Kosovës. Shprehi mospajtimin tim për këtë që ka ndodhur sot dhe do ta vazhdoj këtë pajtim sot së bashku me të gjithë ata që nuk pajtohen me një veprim të tillë”, kishte thënë Haradinaj./Gazeta Blic/