Lajme

Haradinaj ‘godet’ Kurtin: Qeveria juaj është e rrezikshme, Kosova ka nevojë për një udhëheqje që i mbron qytetarët

2 ditë më parë
nga:G C

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti për menaxhimin e sektorit të energjisë, raporton GazetaBlic.

Ai ka thënë se vendimet e Kurtit kanë shkatërruar këtë sektor, duke përmendur anulimin e kontratës për ndërtimin e termocentralit të ri, që ka shkaktuar humbje prej 21 milionë eurosh për Kosovën.

Haradinaj gjithashtu ka kritikuar ndalimin e gazsjellësit amerikan dhe investimeve strategjike, duke lënë vendin pa alternativë afatgjatë për energjinë.

Ai ka theksuar se përfitues të kësaj politike janë vetëm tregtarët e energjisë dhe klika politike e Kurtit, ndërsa qytetarët e Kosovës po e vuajnë më shumë këtë situatë.

Haradinaj ka shprehur shqetësimin e tij për rritjen e çmimit të energjisë, e cila do të jetë një goditje e rëndë për qytetarët dhe ekonominë e vendit.

Postimi i plotë:

Albin Kurti e shkatërroi sektorin e energjisë me vendimet e tij të papërgjegjshme. Me krenari e pati anuluar kontratën për ndërtimin e termocentralit të ri, duke i humbur Kosovës 21 milionë euro dëm në arbitrazh. E ndaloi gazsjellësin amerikan dhe çdo investim strategjik, duke e lënë vendin pa asnjë alternativë të sigurt dhe afatgjatë për energjinë. Përfitues të kësaj politike të qëllimshme janë vetëm tregtarët e energjisë dhe klika e tij politike – ndërsa humbësi i vetëm është qytetari i Kosovës!

Sot, përballë krizës ekonomike dhe rritjes së çmimeve të çdo produkti jetik, Qeveria e godet edhe një herë qytetarin me rritjen e çmimit të rrymës. Paralajmërimi i ZRrE-së për shtrenjtim prej 15% nga 1 prilli është një goditje e rëndë për mirëqenien e familjeve kosovare dhe për ekonominë e vendit.

Kjo qeveri është e paaftë dhe e rrezikshme. Prandaj Kosova ka nevojë për një udhëheqje që i mbron qytetarët, e jo që i dëmton ata.