Lajme

Haradinaj: Fatmir, po i vie era fitore – anëtarësimi në NATO në vitin e parë të qeverisjes

11/24/2024 15:03
nga:G B

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se koalicioni i partisë së tij me Nismën Socialdermokrate të Fatmir Limajt dhe konservatorët, garanton anëtarësimin e vendit në NATO.

Duke folur në Konventën Zgjedhore të Nismës, Haradinaj i tha Limajt se po e ndjen erën e fitores.

“Kryetar, Fatmir, po më duket era fitore po i vie”, tha “kryeministri i djeshëm dhe i ardhshëm”, siç u prezantua Haradinaj para se të dilte në foltore.

“Këtu në këtë sallë ka shumë vepra, sepse ka shumë njerëz që kanë bërë vepra të mëdha për Kosovën”, tha ai, duke iu referuar slloganit të këtij koalicioni: “Veç vepra”.

Haradinaj përsëriti premtimin për anëtarësimin e vendit në NATO.

“Anëtarësimi në NATO, anëtarësimi direkt përmes planis aksional, e bën kthesën e madhe, jo vetëm të sigurisë, por edhe ekonomike dhe në të gjitha drejtimet tjera të jetës”, tha ai.

“Ju sigurojmë që do ta bëjmë realitet. Jo veç me e thënë, po kemi me e bë”, tha Haradinaj.

Kjo, sipas tij, do të bëhej “në muajt apo vitin e parë të qeverisjes”.

Tashmë ai tha se janë “duke punuar në këtë drejtim”.