Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njëherit kandidat për kryeministër i kësaj partie, Ramush Haradinaj, në Debat Plus ka thënë se “e di rrugën deri në Pentagon” për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
“Kam nevojë për secilin e secilën që kemi rrugëtuar ndonjëherë bashkë, qoftë edhe një ditë bashkë. Kam nevojë për votën e tyre për ta shtyrë Kosovën drejt NATO-s”, ka thënë ai.
Haradinaj ka deklaruar se në këtë drejtim qëndron më mirë se të gjithë të tjerët, përfshirë kundërkandidatët e tij.
“Mendoj që në këto dyja qëndrojmë më mirë: për energji dhe për NATO. E lidh me faktin që dikur e kam rikthyer prodhimin dhe se kam rritur çmimin, dhe jam në gjendje. I kam lënë dy projekte të gatshme: një central me qymyr dhe një central me gaz nga gazsjellësi amerikan. Do t’i aktivizoj shpejt dhe njëkohësisht, për anëtarësim në NATO, e di rrugën deri në Pentagon. Pra, po e përdori simbolikën – e di rrugën deri në Pentagon”, ka thënë ai.


