Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar sot se dialogu me Serbinë ka vdekur dhe arkivolin e ka pasur në sulmin terrorist në Banjskë të Zveqanit.
Lidhur me këtë, ish ministrja e punëve të jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se dialogu ka kohë që është i pastrukturuar, padefinuar dhe paqartësuar dhe që nuk udhëhiqet nga parimi i barazisë së palëve.
“Ka kohë që dialogu i Brukselit është totalisht i pastrukturuar në prioritete, i padefinuar në afat kohor, dhe i paqartësuar në qëllim final. Për më keq, ky dialog ka dëshmuar se NUK udhëhiqet nga parimi i barazisë së palëve, nuk ka mekanizëm për mbikëqyrjen e implementimit të marrëveshjeve ekzistuese, dhe rrjedhimisht – as masa të qarta ndëshkuese për palët që i bëjnë obstruksione paqes, stabilitetit, dhe normalizimit”, vlerëson ajo.
Sipas ish ministres, BE nuk e ka të qartë se çka nënkupton vërtetë normalizimi si qëllim.
“Madje BE nuk e ka të qartë fare as çka në të vërtetë nënkupton normalizimi si qëllim: a është njohje reciproke apo është qëllim abstrakt, asnjëherë i arritshëm?! Prandaj – ka shumë vite që kërkoj riformatimin e dialogut – ku Kosova përmes komunikimit të rafinuar diplomatik do të mund të transmetonte unitetin politik qartë dhe saktë përballë Serbisë, kërkesat e qëllimet tona shtetërore në këtë dialog, dhe parimet e panegociueshme mbi të cilat nuk negociojmë”, thekson Haradinaj-Stublla për Gazeta Blic.
Ajo potencon se tani kur bëhet 1 vit nga sulmi terrorist i Banjskës, duhet nxjerrë mësimet se dialogu i Lajçakut dështoi kur ndodhi agresioni i Banjskës, për të cilën Serbia mbeti e pasfiduar, e pandëshkuar, dhe e pasanksionuar.
“Tani që për shumë pak ditë do të shënojmë edhe 1 vjetorin e krimit të agresionit të Serbisë mbi Republikën e Kosovës që ndodhi në Banjskë, do të duhej të nxjerrim edhe mësimet: dialogu i Lajçakut dështoi kur ndodhi agresioni i Banjskës, për të cilën Serbia mbeti e pasfiduar, e pandëshkuar, dhe e pasanksionuar”, deklaron ajo.
Andaj, sipas saj, Kosova s’duhet të jetë pjesëmarrëse e pabarabartë ne dialog, por që shton se kjo nuk arrihet pa unitet e front të përbashkët politik përballë Serbisë.
“Prandaj Kosova nuk do të duhej të jetë pjesëmarrëse e pabarabartë në një dialog të çakorduar e të përhershëm, përmes së cilit Serbia si agresore vazhdimisht avancon pozitën e saj evropiane në kurriz të Kosovës. Por kjo – nuk arrihet pa unitet e front të përbashkët politik përballë Serbisë – që fatkeqësisht tash e sa vite Kosova nuk po arrin ta ndërtojë”, përfundon ish ministrja e jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla./Gazeta Blic/


