Daut Haradinaj, njëri prej protagonistëve kryesor të luftës së fundit në Kosovë, në rrëfimin për emisionin Pressing, ka thënë se që në moshën 16-vjeçare, në vitin 1995, i kishte nisur aksionet e para kundër forcave serbe.
Por në atë kohë, ka thënë ai, as që e dinte se ç’do të thotë akronimi UÇK.
“Unë mendoj që aktivitetet direkt kundër tyre i kam fillur kah ’95-a. Personale është fjala, në atë kohë nuk kam qenë në UÇK, nuk kam pasë lidhje me UÇK. Vonë jam bashku me UÇK-në, me thënë të drejtën as nuk e kam ditë çka domethënë UÇK”, ka rrëfyer Haradinaj.
Se po organizohet një ushtri e strukturuar si UÇK-ja, Haradinaj e kishte kuptuar vetëm pas takimeve me Rexhep Selimin dhe luftëtarë e strategë të tjerë të luftë
“Kur jam taku tani me Rexhën, me Mujën me Xheladin Gashin, Musë Jasharin, t’u bo muhabet e sipër u diskutojshin formacionet, ushtria, UÇK. Atëherë e kuptova që tash është duke u folur për në organizim ushtarak. Deri në atë kohë kanë qenë disa grupe të vogla guerile”, ka treguar ai.
Mes tjerash, si nevojë e zgjerimit të kontakteve, Haradinaj ka treguar edhe se si i kishte mbetur nofka David, të cilën ia kishte vënë Rexhep Selimi.
“Gjatë një udhëtimi për Shqipëri, Rexha ma ka ngjitë emrin David. Kur filluam të lidhemi me grupe të tjera jashtë Dukagjinit, Rexha tha se duhet me u quajtë kështu”, ka thënë ai.