Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë sot se do ta vazhdojë koordinimin me ndërkombëtarët, derisa ka theksuar se hapja e urës nuk është kundër askujt.
“Hapja e urës nuk është kundër askujt, veçmas kundër partnerëve ndërkombëtarë”, tha Kurti në mbledhjen e qeverisë.
Deklarata e tij vjen një ditë pas lutjes që i bëri ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, drejtuar Qeverisë, që ura mos të hapet tani dhe të bisedojnë me ta për hapjen e saj.
Por, a po tërhiqet Kurti për këtë çështje?
Sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se do të jetë me pasoja të paparashikueshme për vendin nëse qeveria vepron pa marrëveshje me aleatët për hapjen e urës së Ibrit.
“Krejt normale është që qeveria të vazhdojë konsultimet me aleatët për hapjen e urës, dhe duhet ta bëjë një gjë të tillë. Mirëpo, do të ishte gabim dhe me pasoja të paparashikueshme për vendin nëse qeveria do të vepronte pa marrëveshje me aleatët, në veçanti pa marrëveshje me KFOR-in”, vlerëson ai.
Sipas Sherifit, veprimet pa koordinim e fusin Kosovën në konfrontim me aleatët, që do të ishte lajm jashtëzakonisht i keq për Kosovën e i mirë për Serbinë.
“Çdo veprim pa koordinim që rrezikon sigurinë, do ta fuste Kosovën në një kurs konfrontimi me aleatët! Ky do të ishte një lajm shumë i mirë për Serbinë dhe jashtëzakonisht i keq për të tashmen dhe për të ardhmen e vendit”, deklaron Bilall Sherifi./Gazeta Blic/