Hapja e urës së Ibrit është tema më aktuale e ditëve të fundit në vend.
Qeveria e Kosovës thotë se do ta hapë urën dhe se s’ka arsye që ajo të jetë e mbyllur.
Ajo madje ka nisur dhe matjet, ngjyrosjen dhe testimin e urës me kamionë.
Hapja e urës së Ibrit nuk e ka përkrahjen e ndërkombëtarëve. Ndërsa, rreth 600 serbë protestuan të mërkurën në Mirtovicën e Veriut, kundër hapjes së urës.
E, pas vizitës, ura u vizitua dhe nga ministri i brendshëm Xhelal Sveçla.
Ai nga veriu e kryeministri Albin Kurti përmes një postimi në Facebook, e vlerësuan protestën e serbëve si të drejtë demokratike të çdo qytetari.
Ky insistim i Qeverisë për të hapur urën, ka ngjallur reagimin edhe të Departamentit Amerikan të Shtetit.
SHBA-të thanë se me vendimet e vazhdueshme të pakoordinuara, Kosova po vë në rrezik mundësitë që Uashingtoni i ka ndihmuar që të krijojë.
Mattheë Miller, zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, në një konferencë për media riktheksoi shqetësimet e SHBA-ve me vendimet e fundit të Kosovës.
“Ne besojmë se vënë në rrezik mundësitë që ne kemi ndihmuar që Kosova të krijojë. Nëse e shikoni që nga pavarësia e Kosovës, SHBA-ja fuqishëm ka mbështetur integrimin e tyre të plotë në komunitetin ndërkombëtar si demokraci sovrane e multientike, por për të realizuar këtë vizion që ne ndajmë, ne kemi bashkëpunuar me udhëheqësit e njëpasnjëshëm të Kosovës në masat për të fuqizuar paqen dhe prosperitetin në vend, duke avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike”, tha Miller të mërkurën.
Shqetësimet e njëjta i ka theksuar edhe Ambasada Amerikane në Prishtinë, duke cituar zëdhënësin e DASH-it.
E, zhvillimet në veri bënë që të ketë tjetër reagim nga Bashkimi Evropian, duke paralajmëruar masa të reja, nëse situata nuk ndryshon.
Kështu tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një konferencë për media, derisa përmendi masat kundër Kosovës si përgjigje të BE-së ndaj këtyre vendimeve – mbyllja e nëntë zyrave të Postës së Serbisë në Kosovë dhe hapja e Urës së Ibrit.
“Masat u vendosën vjet për faktin se shumëçka po ndodhte që çonte në përshkallëzim dhe në vend të hapave që çonin drejt depërshkallëzimit janë ndërmarrë edhe më shumë hapa të njëanshëm që çojnë në përshkallëzim nga ata njerëz. Ne e kemi thënë atëherë se këto masa mund të zgjaten apo të hiqen pavarësisht zhvillimeve të situatës. Pra, çfarë do të bëjmë? Kemi masa në fuqi dhe këto masa mund të shtohen nëse akterët evropianë pajtohen se ato duhet të shtohen”, tha Stano.
Por, qëndrim lidhur me çështjen e urës së Ibrit nuk kanë shprehur të gjitha partitë opozitare.
Të mërkurën (7 gusht), lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përkrahu hapjen e urës, derisa u bëri thirrje serbëve që të mos protestojnë, duke rënë pre e politikave shkurtpamëse.
Urat dhe rrugët duhet të na lidhin e jo të na ndajnë. Mos u bëni pre e politikave shkurtpamëse e të protestoni kundër lëvizjes së lirë.
Ura e Ibrit duhet të jetë simbol i një jete të përbashkët e të pa alternativë.
Liria e lëvizjes si vlerë universale është e sotmja dhe e ardhmja. Ndarjet e përplasjet na rikthejnë në memorie të kaluarën e tragjeditë tona”, shkroi Haradinaj në Facebook.
Mirëpo, pro apo kundër hapjes së hapjes së urës së Ibrit nuk janë shprehur krerët e partive opozitare LDK e PDK.
Lumir Abdixhiku e Memli Krasniqi nuk e kanë ende thënë asnjë fjalë për zhvillimet në veri, derisa nuk janë përgjigjur në pyetjet e Gazeta Blic as nënkryetarë, zëdhënës e deputetë të këtyre partive.
Këto dy parti opozitare nuk u deklaruan as për mbylljen e degëve postare të Serbisë në veri./Gazeta Blic/
Zhvillimet në veri, BE-ja paralajmëron masa të reja ndaj Kosovës