Hapja e urës së Ibrit është tema më aktuale e momentit. Hapjen e saj po e kundërshtojnë ndërkombëtarët, ndërsa që Qeveria po insiston në hapjen e saj.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se është çështje e Kosovës dhe se është përmbyllur në vitin 2016-2017 sa i përket Brukselit.
Ndërsa, sot ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, që mos ta hapë urën e Ibrit në këtë kohë, derisa ka thënë se rrezikohet jeta e ushtarëve amerikanë.
Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për GazetaBlic, ka reaguar edhe eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj, i cili thotë se politikanët kosovarë për disa vota nuk duan t’ia dinë që një veprim i tilë do t’i kushtojë shumë Kosovës.
“”Statusi” i urës së Ibrit edhe ashtu ishte i paraparë që të zgjidhet brenda pakos për marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë, prandaj nga ky këndvështrim BE me të drejtë ngre shqetësim jo vetëm për faktin që Kosova po e shkelë një marrëveshje, mirëpo edhe për shkak të situatës së përgjithshme të sigurisë në Evropë (lufta Ukrainë-Rusi) ku Kosova paraqet një epiqendër destabiliteti të cilën Rusia përmes Serbisë mund të shkaktojë një tragjedi për popujt e Ballkanit. Politikanët kosovarë për ca vota nuk duan t’ia dinë që një veprim i tillë i kushton shumë Kosovës, ushtarëve amerikanë dhe të tjerë të NATO-s për të cilët ambasada amerikane është e shqetësuar”, tha ai.
Tutje, ai thotë se askush në NATO dhe ShBA, nuk e ka llogaritur që dikush nga ana kosovare mund ta sjellë NATO-n në këtë pozicion, prandaj edhe janë të shqetësuar amerikanët për pasojat e mundshme në ushtarët e tyre.
“Duket se Qeveria e Kosovës NATO-n e sheh si një mekanizëm të cilin e aktivizon me prekjen e një “suste”, gjë që në praktikë nuk është ashtu. Ka dy mënyra të angazhimit të trupave të NATO në Kosovë: ajo emergjente e cila shkaktohet nga rrethana të paparashikuara e që mund të shkaktohen nga qeveri të papërgjegjshme dhe faktorë tjerë befasie ku pasojat në ushtarë janë më të mëdha, dhe angazhimi tjetër është ai i planifikuar mbi bazën e të dhënave inteligjente dhe nevojave politike me pasoja më të pakta pse pa to. Askush në NATO as SHBA si duket nuk kishte llogaritur që dikush nga ana kosovare mund ta sjell NATO-n në kësi pozicioni, prandaj amerikanët janë të shqetësuar për pasojat e mundshme në ushtarët e tyre në rast krize. Kjo edhe është arsyeja që Ambasadori Amerikan po reagon dhe po kërkon që të mos bëhet nguti në hapjen e urës e cila në thelb përveç simbolikës nuk ka ndonjë rëndësi specifike pasi që janë edhe dy ura të tjera në përdorim e që në fakt shpien në po atë pjesë në anën tjetër të urës së Ibrit”, shtoi ai.
Gecaj thekson se tani kemi arritur në një nivel të lartë mosbesimi në mes të Qeverisë së Kosovës dhe aleatëve tanë, ku thotë se insistimi amerikan që të mos hapet ura dhe insistimi evropian për bisedime janë të menduara mirë.
“Prakticiteti amerikan edhe i shteteve të Kuintit në përgjithësi karshi simbolikës kosovare për urën është dominant dhe i arsyeshëm. Një fakt tjetër shqetësues për amerikanët është mesazhi “kërcënues” që u dërgohet serbëve në veri nga ana e qeverisë së Kosovës me hapjen e njëanshme të urës dhe padëgjushmëria në vazhdimësi e qeverisë së Kosovës në raport me amerikanët dhe evropianët. Pra kemi arritur një nivel të lartë mosbesimi në mes qeverisë së Kosovës dhe aleatëve tanë. Prandaj insistimi amerikan që të mos hapet ura në këtë kohë për shkaqe sigurie dhe insistimi evropian për bisedime në takimin e radhës në BE, janë të menduara mirë edhe pse Kosova në aspektin ligjor kishte dhe ka të drejtë por një e keqe më e vogël nga një tjetër më e madhe është e arsyeshme dhe përtej ligjeve të cilat nuk kan datë të caktuar se kur duhet të zbatohen”, përfundoi Gecaj për GazetBlic.
Hovenier: Hapja e urës në Mitrovicë në këtë kohë mund të rrezikojë ushtarët amerikanë


