Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën do të jetë përcaktues se si do të vazhdojë procesi i negociatave ndërmjet Beogradit dhe Brukselit, është shprehur Komisioneri Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi. Këtë ia kanë bërë të qartë shtetit serb edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell dhe sekretari shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Gasper Dovzhan.
Këto deklarata janë dhënë në kuadër të konferencës ndërqeveritare të mbajtur sot, me ç’rast Serbia hapi grupin numër 4 “Axhenda e Gjelbër dhe Lidhshmëria e Qëndrueshme”, e cila përbëhet nga katër kapituj negociues (Politika e Transportit, Energjia, Rrjetet Trans-Evropiane dhe Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike).
Siç njoftohet nga Brukseli, transmeton Express, për Komisionerin Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, ky takim i dërgon BE-së një sinjal të fortë politik për angazhimin e saj për anëtarësimin e Serbisë në BE.
“Negociatat e anëtarësimit po përparojnë dhe BE-ja po i përgjigjet progresit të vendit. Hapja e negociatave për kapitujt do të thotë se negociatat e rëndësishme për këto fusha tani mund të fillojnë. Kjo do të thotë se puna e palodhur jo vetëm duhet të vazhdojë, por edhe të intensifikohet”, tha Varhelji.
Edhe sekretari shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Gasper Dovzhan, theksoi se hapja e njëkohshme e katër kapitujve negociues sjell më shumë dinamikë në negociatat për anëtarësim. Po ashtu ka përmendur edhe dialogun me Kosovës, duke u shprehur se kjo pjesë do të përcaktonte ritmin e negociatave të anëtarësimit.
Ai tha se ishte thelbësore që Serbia të luante një rol konstruktiv në dialogun me Kosovën, i cili do të “përcaktonte ritmin e negociatave të anëtarësimit”.
Megjithatë ka përmendur se ku ka më shumë ngecje, si në pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar etj.
“Megjithatë, ne vërejmë gjithashtu se ku nevojiten përpjekje shtesë, si pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe procedurat e brendshme në gjyqet e krimeve të luftës,” tha Dovzhan.
Ndërsa, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq është shprehur se hapja e kapitujve është “motiv i madh”.
“Metodologjia e re është menaxhimi politik i procesit integrues. Në këtë mandat të qeverisë, ne jemi duke menaxhuar këtë proces dhe të gjitha reformat, para së gjithash reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe kjo padyshim që ka dhënë rezultate”, tha kreu i qeverisë serbe.
Ajo shprehu shpresën se Serbia së shpejti do të hapë një grup tjetër.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, tha në Tëitter me rastin e hapjes së Grupit të Katërt se është e rëndësishme që Beogradi të vazhdojë të punojë për sundimin e ligjit, harmonizimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe dialogun me Prishtinën.
Me hapjen e këtij grupi, Serbia ka hapur vetëm 22 kapituj në negociatat për anëtarësim.
Procesi i negociatave po zhvillohet në kuadër të metodologjisë së re të miratuar nga Komisioni Evropian në fillim të vitit 2020.
Serbia dhe Mali i Zi, që e kishte filluar më parë procesin e negociatave të anëtarësimit, kanë pranuar metodologjinë e re të aprovuar në vitin 2020.
Në kuadër të metodologjisë së re hapen grupe tematike, të cilat përfshijnë disa kapituj. Metodologjia e re ka 6 grupime tematike.
Kjo është hera e parë që Serbia hap zyrtarisht një klaster.