Sot edhe zyrtarisht fillon fushata për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Pavarësisht kësaj, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës veç e hapën fushatën me tubime në Prishtinë.
Kjo është fushata e katërt veç brenda një viti në Kosovë. Ajo e zgjedhjeve të shkurtit, e rundit të parë për zgjedhje lokale, dhe më pas e balotazhit.
Qysh në start, nisi shpërndarja e milionave e premtimet për rritje të pagave.
VV-ja ka premtuar 200 milionë euro për përballje me inflacionin , përfshirë rritje të pensioneve, shtesave për fëmijë, studentë, punëtorë të sektorit privat e subvencionim të energjisë.
Megjithatë, Kurti nuk harroi të flas për siguri.
“Është baza e çdo vendimi, siguria është më shumë se fjalë. Kur qytetari ndihet i mbrojtur ekonomia merr frymë thellë, prandaj siguria është prioriteti i yni në katër vjeçarin e ardhshëm. Kjo siguri do të jetë e begatisë e shoqërisë dhe vendit tonë. Begatia nuk është për disa por për të gjithë. Për ata që nuk kanë, çdo vendim është me rëndësi dhe begatia nuk matet me fjalë por me veprimet që ndjehen. Pasurimi i shtetit është reflektim i pasurisë së qytetarit”, ka thënë Kurti.
Rritje të pagave premtoi edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ai ka premtuar rritjen e pagave për mësimdhënësit në 1000 euro në muaj, dhe për policët, zjarrfikësit e ushtarët në 900 euro. Ai ka thënë se koeficienti i pagave do të jetë 150 euro.
E pagë mesatare prej 1100 eurosh dhe pension 500 eurosh ka premtuar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
PDK, AAK dhe Nisma, fushatën zyrtarisht do ta hapin sot.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se fushata zgjedhore do të zhvillohet nga 17 dhjetori deri në orën 06:59 të datës 28 dhjetor.
“Për 11 ditë e 7 orë, subjektet politike do të mund të zhvillojnë aktivitetet e tyre në kuadër të fushatës zgjedhore. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i miratuar në vitin 2023 nga Kuvendi i Kosovës, fushata zgjedhore përfundon me hapjen e qendrave të votimit në ditën e zgjedhjeve. Pra, ashtu si në zgjedhjet e fundit që u mbajtën në shkurt dhe tetor të këtij viti, një ditë para ditës së zgjedhjeve, të shtunën, nuk do të jetë heshtje zgjedhore”, tha Elezi.
Elezi ka treguar për ndalesat dhe kufizimet ligjore gjatë periudhës së fushatës zgjedhore që duhet t’i respektojnë subjektet politike dhe mbështetësitë e tyre.
“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme ka përcaktuar një sërë veprimesh të ndaluara për subjektet politike, kandidatët dhe mbështetësit e tyre, gjatë fushatës zgjedhore. Këto ndalesa lidhen kryesisht me mospengimin e fushatës së kundërshtarit politik dhe ndalimin e rreptë të kërcënimeve dhe dhunës gjatë procesit zgjedhor. Në përgjithësi, sipas ligjit, fushata duhet të zhvillohet në një atmosferë të qetë, të respektueshme, demokratike, pa gjuhë urrejtjeje, pa frikësime dhe e distancuar nga çdo formë dhune”, tha Elezi.


