Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, bëri hapjen e ankandit të parë për energji të erës me kapacitet prej 100MW, i cili përbën fazën e parakualifikimit për ankandin, e që do të vijojë pastaj nga faza e ofertave financiare, përcjell GazetaBlic.
Në adresimin e tij, ai veçoi se diversifikimi e shumëfishimi i burimeve të energjisë përmes energjisë së ripërtëritshme nuk është vetëm zgjidhje për zhvillimin e sektorit tonë energjetik dhe të ekonomisë, por edhe domosdoshmëri për të mbrojtur pavarësinë energjetike të Republikës së Kosovës.
“Në politikat e energjisë, si në çdo vendim e politikë tjetër të Qeverisë sonë, jemi përkushtuar për një Kosovë e cila teksa rritet e zhvillohet, drejtohet nga parimi i drejtësisë: drejtësisë ekonomike, drejtësisë shoqërore dhe drejtësisë mjedisore. Sipas këtij parimi, jemi siguruar që qytetarët janë gjithmonë në qendër të politikave tona e që ato reflektojnë përmirësime të drejtpërdrejta, për familjet, të cilat duan ajër të pastër e çmime të përballueshme; për bizneset vendore, të cilat kanë nevojë për siguri furnizimi e konkurrueshmëri; e për brezat e ardhshëm, të cilëve ua kemi borxh kujdesin, që zhvillimi ynë ekonomik sot të mos bëhet në dëm të shëndetit, të natyrës e të së ardhmes së tyre”, u shpreh kryeministri Kurti.
Ai tha se jemi me fat sepse vendi ynë ka potencial të madh natyror për energji të ripërtëritshme, me rrezatim të bollshëm për energji të diellit, e erëra të forta në malet tona për energji të erës, dhe se me punë dhe përkushtim institucional, ky potencial kthehet në kapacitet gjenerues e prodhues.
“Deri në vitin 2031 jemi zotuar të arrijmë kapacitetet prej 1600 MW nga burimet e ripërtëritshme të energjisë – të pastra e me procedura konkurruese që përkthehen në çmime më të mirë për qytetarët tanë. Ankandi diellor është zbatuar mbi këtë zotim dhe ka dëshmuar përparësitë e mëdha të skemave të këtilla: me konkurrencë të shëndetshme, çmimi për blerjen e energjisë është ulur për 35% krahasuar me çmimin tavan, e tërë ky përfitim i shkon direkt si qytetarëve ashtu edhe bizneseve tona. Përmes një procesi shembull të transparencës e profesionalizmit për rajonin e më gjerë, kemi dëshmuar se sa atraktive është Kosova për investime të huaja e të mërgatës, atëherë kur krejt institucionet punojnë së bashku dhe drejt”, shtoi ai më tej.
Kryeministri Kurti falënderoi Korporatën Ndërkombëtare Financiare (IFC), të përkrahur nga Qeveria gjermane; si dhe shprehu mirënjohje të veçantë ndaj Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për përkrahjen e madhe e të vazhdueshme që i kanë dhënë e po vazhdojnë të na japin për zhvillimin e sektorit energjetik, ekonomisë e shtetit tonë.
“Kur je në rrugën e drejtë dhe i merr vendimet e duhura, erërat e forta nuk të rrëzojnë por të formësojnë e të mbajnë në këmbë. Sot këtyre erërave po u japim edhe një qëllim: po i shfrytëzojmë për prodhim të energjisë”, përmbylli fjalën e tij kryeministri Kurti.
Në lidhje me këtë ngjarje të rëndësishme, foli edhe Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila tha se sot po lansohet faza e parakualifikimit për ankandin e parë të erës, e cila do të vijojë me fazat e ofertave financiare. Ajo tha se gara do të udhëhiqet në mënyrë të drejtë dhe transparente, në mënyrë që të sigurohemi, që pavarësisht kompania apo konzorciumi që do të zgjidhet përfundimisht për ndërtimin e parkut të erës, fituesi më i madh, përfundimisht të jetë qytetari i Republikës së Kosovës, me çmim të përballueshëm, energji të pastër, energji të sigurt dhe përballueshmëri.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuar znj. Artane Rizvanolli, Ministre e Ekonomisë,
I nderuar z. Mathias Conrad, Zëvendës ambasador i Gjermanisë në Kosovë,
E nderuar znj. Elieen Devitt, Drejtore e Misionit të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID),
I nderuar z. Nicolas Marquier, Drejtor Regjional për Ballkanin Perëndimor i Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC),
Të nderuar ministra dhe zëvendësministra,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,
Të nderuara ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike të shteteve mike të akredituar në vendin tonë,
Të nderuar përfaqësues e drejtues të institucioneve të ndryshme të Republikës së Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të bizneseve, përfaqësues të medieve,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Është kënaqësi që këtë vit jashtëzakonisht të suksesshëm për sektorin e energjisë po e përmbyllim edhe me një sukses: hapjen e ankandit tonë të parë për energji të erës me kapacitet prej 100MW.
Ekonomia jonë po rritet me ritmin më të shpejtë në rajon – me rritje të Bruto Produktit Vendor prej 6.36%, mesatarisht në tri vitet e fundit 2021-2023. Sot, në krahasim me fillimin e mandatit tonë qeverisës, kemi dyfishim të eksporteve dhe më shumë se dyfishim të Investimeve të Huaja Direkte. Kjo rritje e aktivitetit ekonomik reflektohet edhe në rritje të konsumit të energjisë nga bizneset tona.
Gjatë vitit të kaluar, është rritur konsumi i energjisë elektrike por rritja e konsumit nga bizneset ka qenë 19-fish më e lartë krahasuar me rritjen e konsumit të amvisërive – dhe kjo përkundër faktit që janë shtuar gati 20 mijë konsumatorë të rinj të amvisërisë.
Përderisa në njërën anë rrisim efiçencën e energjisë për ta ulur kërkesën e gjithëmbarshme për energji dhe investojmë në kapacitete të reja të ngrohjes qendrore për ta mbuluar një pjesë të kërkesës për energji termike, padyshim që kjo rritje ekonomike duhet të shoqërohet edhe me ndërtim të kapaciteteve të reja energjetike.
Në politikat e energjisë, si në çdo vendim e politikë tjetër të Qeverisë sonë, jemi përkushtuar për një Kosovë e cila teksa rritet e zhvillohet, drejtohet nga parimi i drejtësisë: drejtësisë ekonomike, drejtësisë shoqërore dhe drejtësisë mjedisore. Sipas këtij parimi, jemi siguruar që qytetarët janë gjithmonë në qendër të politikave tona e që ato reflektojnë përmirësime të drejtpërdrejta, për familjet, të cilat duan ajër të pastër e çmime të përballueshme; për bizneset vendore, të cilat kanë nevojë për siguri furnizimi e konkurrueshmëri; e për brezat e ardhshëm, të cilëve ua kemi borxh kujdesin, që zhvillimi ynë ekonomik sot të mos bëhet në dëm të shëndetit, të natyrës e të së ardhmes së tyre.
Përkushtimi ndaj drejtësisë ekonomike e mjedisore bëhet edhe më i rëndësishëm përballë sfidave globale, të cilat i ndikojnë politikat energjetike.
Dy vjet më parë, pak para se të shpallnim ankandin tonë të parë diellor me kapacitet prej 100MW, agresioni i Rusisë në Ukrainë kishte shkaktuar një krizë të paparë energjetike në mbarë kontinentin tonë. Kësisoj, të gjithë e kuptuan përfundimisht që varësia nga importet e energjisë, veçanërisht nga shtetet autokratike, janë të rrezikshme jo vetëm për ekonominë, por edhe për sigurinë kombëtare. Edhe tash, para këtij ankandi që po e lansojmë, u përballëm me një rikujtim të ngjashëm: sulmi terrorist kinetik ndaj infrastrukturës tonë kritike në kanalin Ibër-Lepenc për furnizim me ujë e me energji, na e bëri me dije se sa është e rëndësishme që ne të forcohemi edhe në kuptimin energjetik të qeverisjes e të jetës sonë.
Andaj, diversifikimi e shumëfishimi i burimeve të energjisë përmes energjisë së ripërtëritshme, nuk është vetëm zgjidhje për zhvillimin e sektorit tonë energjetik e të ekonomisë, por edhe domosdoshmëri për të mbrojtur pavarësinë energjetike të Republikës së Kosovës.
Këtu jemi me fat! Kosova ka potencial të madh natyror për energji të ripërtëritshme, me rrezatim të bollshëm për energji të diellit, e erëra të forta në malet tona për energji të erës. Me punë e përkushtim institucional, ky potencial kthehet në kapacitet gjenerues e prodhues.
Deri në vitin 2031 jemi zotuar të arrijmë kapacitetet prej 1600 MW nga burimet e ripërtëritshme të energjisë – të pastra e me procedura konkurruese që përkthehen në çmime më të mirë për qytetarët tanë. Ankandi diellor është zbatuar mbi këtë zotim dhe ka dëshmuar përparësitë e mëdha të skemave të këtilla: me konkurrencë të shëndetshme, çmimi për blerjen e energjisë është ulur për 35% krahasuar me çmimin tavan, e tërë ky përfitim i shkon direkt si qytetarëve ashtu edhe bizneseve tona. Përmes një procesi shembull të transparencës e profesionalizmit për rajonin e më gjerë, kemi dëshmuar se sa atraktive është Kosova për investime të huaja e të mërgatës, atëherë kur krejt institucionet punojnë së bashku dhe drejt.
Me standardet e larta që i kemi vendosur në ankandin paraprak, po zhvillojmë edhe ankandin e erës, dhe kështu po i shtojmë vendit 100 MW energji të pastër, e investitorëve 100 arsye për të investuar në Kosovë.
Para se t’i kaloj fjalën Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për të treguar më shumë për ankandin, dëshiroj t’i shpreh falënderimin tonë për këtë bashkëpunim Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC), të përkrahur nga Qeveria gjermane; si dhe një mirënjohje të posaçme Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përkrahjen e madhe e të vazhdueshme që i kanë dhënë e po vazhdojnë të na japin për zhvillimin e sektorit energjetik, ekonomisë dhe shtetit tonë.
Gjithashtu, përgëzoj Ministrinë e Ekonomisë, që po i udhëheq me profesionalizmin më të lartë këto projekte jetike për tranzicionin energjetik të vendit tonë dhe i falënderoj të gjitha institucionet tjera, e në veçanti Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, për kontributin e pazëvendësueshëm në të gjitha këto procese.
Kur je në rrugën e drejtë dhe i merr vendimet e duhura, erërat e forta nuk të rrëzojnë por të formësojnë e të mbajnë në këmbë. Sot këtyre erërave po u japim edhe një qëllim: po i shfrytëzojmë për prodhim të energjisë!