Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ishte i sinqertë në vlerësimin e tij për performancën e ekipit në barazimin 1-1 kundër Newcastle në ndeshjen e Ligës së Kampionëve.
Gjermani pranoi se rezultati ishte më i mirë se vetë performanca e ekipit.
Flick nuk e fshehu zhgënjimin e tij me lojën në fazën sulmuese, por vlerësoi shpirtin luftarak të lojtarëve të tij.
“Po, jam më i lumtur me rezultatin. Nuk luajtëm një ndeshje të mirë me topin, por u mbrojtëm si ekip. Nuk ishte e lehtë të luanim në këtë stadium. Ata na ushtruan shumë presion. Nuk duhet të bëjmë kaq shumë gabime”, tha Flick.
“Kishim shumë ndeshje para kësaj, si dhe lojtarë të lënduar. Marc Bernal dhe Pedri vijnë pas periudhave në të cilat nuk kanë luajtur. Është e qartë se duhet të përmirësohemi, por pozitive për ne është rezultati”, shpjegoi trajneri.
“Do të shohim një Barca ndryshe në ndeshjen e kthimit. Tani duhet të pushojmë. Do të kemi ditë për t’u përgatitur mirë për ndeshjet që na presin në Ligën e Kampionëve dhe La Liga. Është normale të kemi momente të tilla në këtë nivel, duhet të përshtatemi”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport/


