Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, pas vizitës në ShBA dhe Francë ka udhëtuar për një vizitë zyrtare në Gjermani.
Ai ka njoftuar se në Gjermani ka takuar bashkëpunëtorin e kancelarit Olaf Scholz dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
“Gjermania është një partnere shumë e rëndësishme e Kosovës, e cila na ka mbështetur në rrugëtimin e lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit. Në Zyrën e Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, u takova me z. Alexander Wallau, i cili është Përgjegjës për Marrëdhënie Dypalëshe. Ndërsa, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë u takova me z. Michael Reiffenstuel, i cili është Drejtor për Evropën Juglindore”, ka shkruar Hamza.
Ai rrëfeu se në të dyja takimet ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.
“Angazhimi im si kryeministër i ardhshëm do të jetë i përditshëm për jetësimin e aspiratës evropiane të popullit tonë. Z. Wallau dhe z. Reiffenstuel i njoftova edhe për vizionin tim për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe për kushtet që do t’i krijojmë për invesitorët e huaj, përfshirë investitorët gjermanë”, u shpreh Hamza.