Muhamet Hamiti, LDK, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar për sjellje autoritare dhe për mungesë të respektit ndaj parimeve demokratike, raporton GazetaBlic.
Në një reagim në rrjetet sociale, Hamiti ka thënë se Kurti, “në emër të 42 për qind të votave, po sillet sikur partia e tij të ishte parti-shtet e sistemit komunist”.
“Kurti i quan hajvanë rivalët politikë. Pastaj çuditet pse ‘hajvanët’ s’duan të bashkëpunojnë me të,” ka shkruar Hamiti.
Ai ka theksuar se demokracia bazohet në ndarjen e pushteteve dhe kontrollin e ndërsjellë mes tyre, gjë që, sipas tij, Kurti dhe mbështetësit e tij “nuk duan ta kuptojnë”.
Sipas Hamitit, si rezultat i qeverisjes aktuale, “demokracia në Kosovë ka degraduar keq” dhe vendi “ndodhet nën sanksione të BE-së dhe SHBA-së për shkak të udhëheqjes së viteve të fundit”.


