Lajme

Hamiti: Njohja e Kosovës nga Ukraina do të konfirmonte rreshtimin e Ukrainës me rendin perëndimor

02/28/2024 14:40
nga:G C

Ish-ambasadori i Kosovës në Britani të Madhe, Muhamet Hamiti, ka folur për njohjen eventuale të Kosovës nga Ukraina.

Ai ka bërë me dije se nuk ka shenja se një gjë e tillë do të ndodh në një të ardhme të afërt.

Në profilin e tij në “Facebook”, Hamiti ka shkruar se Serbia dhe Rusia kanë dëshirë që Kosova të mos njihet nga shteti ukrainas.

Sipas tij, njohja e Kosovës nga Ukraina do të konfirmonte rreshtimin e sigurt të Ukrainës me rendin perëndimor.

“Ambasadori ukrainas në Serbi, Volodimir Tolkaq, në një intervistë për agjencinë serbe Tanjug, deklaroi javën e kaluar: ‘Unë mund të them se qeveria jonë dhe presidenti ynë janë stabilë në qëndrimin se nuk do ta njohim Kosovën’. Këtë qëndrim e ka mbajtur Ukraina gjithë këto vite, ka thënë ai. Në emër të Qeverisë dhe të Presidentit të Ukrainës ka folur ai me ton aspak miqësor ndaj Kosovës. Njohja e Kosovës nga Ukraina do të konfirmonte rreshtimin e sigurtë të Ukrainës me rendin perëndimor, por edhe me të drejtën ndërkombëtare. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), mbas parashtresës së Serbisë, e ka dhënë opinionin e vet për pavarësinë e Kosovës më 22 korrik 2010. Ka thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 nuk ka qenë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. GJND-ja është organ i OKB-së”, ka shkruar Hamiti.