Lajme

Hamiti: Kurti e Osmani mbajtën Kosovën nën sanksione dhe qytetarët në varfëri

01/23/2026 13:15
nga:Sh R

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, hodhi kritika të ashpra ndaj presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke i akuzuar për një udhëheqje që sipas tij ka dëmtuar Kosovën ekonomikisht dhe politikisht gjatë pesë viteve të fundit.

Hamiti përmendi sanksionet e BE-së, korrupsionin dhe mosrespektimin e Kushtetutës si pasojë e qeverisjes së dyshes Kurti-Osmani.

Tutje Hamiti tha se vendi po përballet me korrupsion, varfëri dhe braktisje masive të qytetarëve, megjithëse 51% ende i besojnë këtij pushteti.

“Në këto pesë vjet të dyshes pushtetore Albin Kurti – Vjosa Osmani, Kosova ka qenë gjysmën e kohës nën sanksione të ashpra ekonomike të BE-së për shkak të politikave të Qeverisë sonë. Dialogu strategjik i Kosovës me SHBA-të është pezulluar vitin e kaluar. Kushtetuta e Kosovës është shkelur me dhjetëra herë. Albin Kurti e ka bërë marrëveshjen më të keqe me Serbinë në vitin 2023. Korrupsioni qeveritar ka qenë në shkallë masive, siç po e shohim vetë dhe e kanë dëshmuar edhe raportet ndërkombëtare. Qytetarët janë varfëruar. Me dhjetëra mijëra kosovarë e kanë braktisur vendin. Braktisja po vazhdon me të madhe. Megjithëkëtë, kur i sheh rezultatet zgjedhore të 28 dhjetorit, del se 51% e njerëzve besojnë te ky lloj pushteti. Zgjedhja është e tyre. Pasojat i vuajmë të gjithë”, shkroi Hamiti.