Lajme

Hamiti i LDK-së: Qeveria e Kurtit ka rënë në grackën e Serbisë

02/02/2023 19:41
nga:Astrit Gashi

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratikë të Kosovës (LDK), Muhamet Hamiti, pas numërimit të kushteve nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për themelimin e Asociacionit, ka thënë se Qeveria e tij ka rënë në grackën e Serbisë.

“Këto kushte duhet t’i kishte vendosur në biseda me Serbinë, në kuadër të dialogut, i cili është pezulluar për një kohë, për fajin e madh të Serbisë, por edhe për faktin tjetër që kjo qeveri, ky kryeministër ka rënë në grackën e Serbisë, e cila ka qenë e interesuar të mos vazhdoj dialogu”, ka deklaruar ai.

Hamiti gjatë intervistës për RTV Dukagjinin, ka thënë se Asociacioni duhet të bëhet mbi bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, pra sipas tij, duke u zbatuar një Asociacion që nuk ka fuqi ekzekutive që nuk prek sistemin kushtetues.

“Ky ka qenë qëndrimi i LDK-së, dhe ky është qëndrimi i drejtë”, ka deklaruar ai.

Gjithashtu, ai ka kritikuar Kurtin duke thënë se me vjet të tëra e ka traumatizuar shoqërinë e Kosovës dhe e ka polarizuar tej mase me fjalët që “Zajednica nuk kalon” e që në seancën plenare të së enjtes, në një mënyrë e ka thënë që Asociacioni kalon me kushte.

Kurti ka thënë që njëra nga kushtet është që të mos jetë asociacion mono-etnik, ndërsa, sipas Hamitit këtë e garanton vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Qeveria duhet t’i marrë parasysh pikat që duhet zbatuar kurdo që vendos të hartojë statusin e Asociacionit në përputhje me Kushtetutën dhe marrëveshjen e 2013-ës dhe për ta çuar përpara dialogun”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Hamiti ka thënë që kjo qeveri duke e traumatizuar shoqërinë e Kosovës me vjet radhazi me fjalën “Zajednicë”, fjalë kjo serbe që sipas tij, e futën në leksikun shqiptar të përkrahësve të tij, të cilët nuk po shohin këto akrobacione të Kurtit.

“Ky akrobacion nuk është i pari, pasi thoshte që nuk kalon Zajednica por, sot tha Asociacioni kalon. E tha në një mënyrë tjetër me kushte, pra teksa thoshte që ka vdekur sot tha bëhet më këto kushte. Por, është një kusht që Asociacioni të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe patjetër me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”,a ka deklaruar Haimiti.

Ndërkaq, ai ka shtuar se Asociacioni nuk guxon të krijojë nivel të tretë të pushtetit aq më pak të marrë fuqi pushtet ekzekutiv nga niveli qendror.

Hamiti ka kritikuar gjithashtu Qeverinë Kurti për mostransparencë, duke thënë se nuk ka raportuar asnjëherë në Kuvend për dialogun, “flasin për transparencë por e bëjnë të kundërtën e saj”.