Lajme

Hamasi shqyrton propozimin e ri izraelit për armëpushim

04/27/2024 14:16
nga:Y I

Hamasi tha të shtunën se po shqyrtonte një propozim të ri izraelit për një armëpushim në Gaza, raporton Associated Press.

Kjo vjen pasi Egjipti ka rritur përpjekjet e tij për të siguruar një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit për t’i dhënë fund luftës dhe për të parandaluar një ofensivë tokësore izraelite në qytetin jugor të Gazës, Rafah.

Zyrtari i lartë i Hamasit, Khalil al-Hayya tha se grupi militant palestinez po vlerësonte propozimin e Izraelit dhe “pas përfundimit të studimit të tij, ai do të jap përgjigjen e tij”.

Ai nuk dha detaje për ofertën e Izraelit, por tha se ishte në përgjigje të një propozimi nga Hamasi dy javë më parë.

Negociatat më herët në prill u fokusuan në një propozim gjashtë-javor për armëpushim dhe lirimin e 40 pengjeve civilë dhe të sëmurë në këmbim të çlirimit të qindra të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite.

Deklarata e Hamasit erdhi disa orë pas përfundimit të një vizite të delegacionit të nivelit të lartë egjiptian në Izrael, megjithëse është ende e paqartë nëse përgjigja e fundit e Izraelit ndaj Hamasit lidhej drejtpërdrejt me vizitën e së premtes.