Lajme

Haliti: Zgjedhjet mund të mbahen me 21 ose 28 dhjetor, mbetet të shihet a do të kemi koalicione!

11/20/2025 10:33
nga:Y I

Pas dështimit edhe të mandatarit të dytë, Glauk Konjufca, për të formuar Qeverinë, vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja.

Presidentja, Vjosa Osmani, ka thirrur sot në një takim krerët e subjekteve politike për të diskutuar për datën e zgjedhjeve.

Nga njohësit e fushës, fundi i dhjetorit, po shihet si koha kur qytetarët mund t’iu drejtohen sërish kutive të votimit.

Në lidhje me këtë çështje ka folur për “Gazeta Blic” politikani dhe zyrtari i lartë i PDK-së, Xhavit Haliti.

Haliti tha se data e zgjedhjeve caktohet nga Presidentja pas konsultimit me subjektet politike por se do të duhej që partitë të kenë kohë të bëjnë përgatitjet e duhura.

Ai potencoi se njëra nga dy të dielat e fundit të dhjetorit mund të jetë opsion.

“Tani data e zgjedhjeve mund të caktohet nga Presidentja, pas konsultimit me partitë politike. Do të duhej që Partitë të kenë kohë që të bëjnë përgatitjet e duhura.Besoj që njëra nga dy të dielat e fundit të dhjetorit do të duhej të mbahen” tha Haliti.

Haliti foli edhe për rezultatin që pritet të ketë PDK-ja në zgjedhjet e ardhshme pasi ndryshimeve që ndodhën në këtë parti.

Ai tha se gjithçka varet nga mobilizimi i strukturave të partisë dhe eleminimi i pakënaqësive eventuale.

“Sa i përket rezultatit të PDK-së, kjo varet nga shumë faktorë, por varet shumë edhe nga mobilizimi i strukturave të partisë, eleminimi i pakënaqësive eventuale, fushata që bëhet, dhe shumë faktorë të tjerë që ndikojnë për mobilizimin e partisë, besueshmërisë nga elektorati dhe shkathtësisë politike të atyre që janë në ballë të fushatës. Mbetet të shohim a do kemi koalicione apo secila parti do hyj e vetme në fushatë” tha Haliti për “Gazeta Blic”.

/Gazeta Blic/