Lajme

Haliti: Vuçiq e Kurti në të njëjtat valë/ Lajçak do të vjen nga Washingtoni me “merre ose lëre”- situata mund të agravohet

1 vitë më parë
nga:G C

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti thotë se nëse i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak është thirrur për të trajtuar çështjen e veriut në OKB, është problem në vete.

Haliti në një prononcim për GazetaBlic thekson se Amerika dhe Evropa janë duke tentuar të bëjnë zgjidhjen më të mirë për çështjen e veriut të Kosovës.

“Dihet që Amerika dhe Evropa janë të interesuar shumë që të bëjnë zgjidhje. Po besoj që kudo që bëhen bisedat janë për zgjedhjen e çështjes së veriut, por nëse Lajçak është thirrë në OKB për ta trajtur këtë çështje atëherë kjo është një problem në vete sepse edhe pse e padeklaruar, veprimi është konform rezolutës 1244 në veri”, tha ai.

Duke folur për zhvillimet e fundit, Haliti paralajmëron se situata mund të acarohet edhe më shumë.

“Avanturat e Vuçiqit për ta justifikuar veten para protestave në Serbi në një çështje shumë të madhe nga “frika” prej Kurtit, janë veprime të cilat të dërgojnë në një konkluzion. Ekziston një dozë dyshimi që situata mund të agravojë, veçanarisht tani pas arrestimit të tre policëve, pas insistimit për të qëndruar në ndërtesat e Kuvendeve komunale të kryetarëve të zgjedhur ligjërisht në rregull, por politikisht e pamundur të qëndrojnë”, tha Haliti.

Sipas Halitit, nëse në ëashington mund të bëhet ndonjë zgjidhje atëherë Kosova do ta ketë opsionin “merre ose lëre”.

“Besoj që do të përpiqen që të bëjnë një zgjidhje e cila do të jetë e pranuar së pari për ëashingtonin e BE-në, pastaj ne do të na sjellin “merre ose lëre””, shtoi ai.

Haliti ka komentuar edhe deklaratën e kryeministrit Kurti ku nuk u shpreh i gatshëm të shkojë në Bruksel për të diskutuar, teksa Vuçiq tha se nuk do të udhëton fare për t’u takuar me Kurtin.

Sipas Halitit, Kurti duhet të jetë gjithmonë i gatshëm për bisedime në Bruksel apo kudo që mbahen ato. Çështja e Kosovës është primare për të, thotë Haliti.

“Siç po shihet, edhe Vuçiqi edhe Kurti janë në të njëjtat valë. Vuçiqi thotë se nuk do të shkon në Bruksel, Kurti thotë se as nuk do të shkojë por po pret që të bisdojë me ekipin. Cili është ekipi që do të bisedosh? A dëshiron të veprosh si po vepron Vuçiqi? Kurti duhet të jetë i gatshëm që të shkojë edhe para dreke për me thirrë për pas dreke, pas dreke me thirrë për mëngjes, me shku në Bruksel për ta diskutuar çështjen e Kosovës. Kjo është çështja kryesore e tij. Gatitshmëria e Kurtit duhet të jetë e përhershme për të biseduar me të gjithë”, tha Haliti për GazetaBlic.

Kujtojmë se, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka njoftuar se do të udhëtojë për në Uashington, për të zhvilluar bisedime lidhur me situatën në veri të Kosovës.

“Do të shkoj në Uashington me ftesë të partnerëve të mi amerikanë. Ne do të kemi diskutime intensive për rrugën përpara dhe për hapat e menjëhershëm”, shkroi Lajçak në Facebook, pa dhënë më shumë detaje.

Lajçak po ashtu tha se gjatë javës ka njoftuar Brukselin për vizitën që ka zhvilluar në Kosovë dhe Serbi së bashku me të dërguarin e Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ai tha se për situatën në Kosovë ka biseduar edhe me zëvendëssekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mircea Geoana.

“Të dy jemi pajtuar se duhet të ndërmerren hapa të menjëhershëm që duhet të ndërmerren për përshkallëzimin e situatës”, tha Lajçak.

Që nga 26 maji, tensionet në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur. Tensionet u rritën pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve nga serbët lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan protestuesit serbë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet u lënduan dhjetëra persona nga të dyja palët.

Më 14 qershor, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u përkeqësuan edhe më tej, pas arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.

Për shkak të tensioneve, Bashkimi Evropian ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një takim krize. Takimi është paraparë të mbahet këtë javë.

Por, Vuçiq deklaroi më 18 qershor se ai nuk do të marrë pjesë në një takim me Kurtin.

“Unë e konsideroj të pakuptimtë të flas me një person që nuk është i gatshëm të flasë”, tha Vuçiq për gazetarët në Beograd.

Kurti ka deklaruar se ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

BE-ja dhe SHBA-ja i kanë paraqitur Kurtit tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga BE-ja dhe mbështetet nga SHBA-ja. /GazetaBlic/