Sporti

Haliti për Zhegrovën: Nëse vazhdon kështu, do jetë në mesin e 10 futbollistëve shqiptarë më të mirë në histori

10/24/2024 14:47
nga:Lorik J

Zhegrova po mahnit botën me paraqitjet e tij të mrekullueshme në Ligën e Kampionëve. Pasi e mposhti Real Madridit, Zhegrova dje shënoi ndaj Atletico Madridit në fitoren e Lille me rezultatin 1-3.

E dikush që besoi gjithmonë tek Zhegrova ishte trajneri i tij tek Prishtina U-15, Gazmend Haliti.

Trajneri i njohur i grupmoshave në Kosovë, e kujton kohën e Zhegrovës si fëmijë, ku thotë se u veçua për talentin që kishte.

“Sigurisht, m’u kthy mbrapa edhe unë e kujtoj gjithmonë si fëmijë, pasi kam punu me të. Ka qenë talent i madh, kemi pas fatin të dy me punu në klubin e Prishtinës, ka pas konkurrencë shumë të madhe, kemi pas Emir Sahitin e Agim Zekën. Me Edonin kemi fitu të gjithë trofetë në atë kohë, ka tregu performancë të shkëlqyeshme, ka qenë i rregullt gjithëherë – e ka dashtë topin gjithmonë, ka pas dëshirë me pas topin afër, ne ngapak si trajnerë – e lejonim që ta mbante më shumë topin, sepse zhvillohej si futbollist”, tha fillimisht Haliti për ‘GazetaBlic Sport’.

Sipas trajnerit, Zhegrova e ka talentin e lindur dhe këtë e vërejti herën e parë që pa.

“Për herë të parë e kam pa në Prishtinë tek U-11 dhe në Milan Junior Camp. Aty e kam vërejtë talentin e tij, të l;indur. Ne e zhvillojmë – e përgatitim, e t’i tregojmë rrugën. Ai e ka ndjek atë rrugë me talentin e tij dhe me punën e tij. Kur shkoi në Belgjikë punoi në kushte shumë të mira, ka pas fat dhe e ka shfrytëzu”, vazhdoi ai.

Gazmend Haliti thotë se 25 vjeçari kosovar mund të luajë pa problem në klube më të mëdha si Barcelona apo Real Madrid.

“Me performancën që ka treguar në ndeshjet e fundit, ka tregu se e meriton një klub të madh. Kudo që shkon, do ketë konkurrencë të madhe. Por Zhegrova mund të luajë në nivelet siç është Barcelona apo Real Madrid. Do ta bëjë hap të madh dhe tregon se çfarë vlere ka. Mund të luajë në Premierligë apo La Liga, ka kualitete”.

Fadil Vokrri është padyshim futbollisti kosovar më i mirë i të gjitha kohërave, teksa trajneri potencon se Zhegrova nëse vazhdon kështu do futet në top 10-shen e lojtarëve më të mirë në historinë e futbollit tonë.

“Zhegrova mund të hy në mesin e 10 lojtarëve më të mirë në histori të futbollit kosovar. Për mua, Fadil Vokrri është futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave, pastaj Xhaka e të tjerët. Edoni mund të hyjë në mesin e tyre, por s’mund të themi se është më i miri. Unë e vlerësojë shumë legjendën Fadil Vokrri, e tash Edoni duhet të tregojë prap aftësitë e tij në nivelet edhe më të larta”, beson Haliti.

Në fund, ish trajneri i Zhegrovës ka një këshillë për diamantin kosovar.

“Këshilla ime është të vazhdojë me këtë ritëm, sepse po bën krenarë shqiptarët kudo që janë”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport