Lajme

Haliti për çështjen e Presidentit: ‘Kërkojmë të zgjedhim një President të Kosovës, jo të një partie!

04/22/2026 14:34
nga:Y I

Edhe pak ditë na ndajnë nga përfundimi i afatit për zgjedhjen e Presidentit të ri.

Megjithëse afatet kohore po shkojnë drejt fundit ende nuk ka zhvillime konkrete në këtë drejtim.

Kryeminstri Kurti ka mbajtur takime me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për këtë çështje, takime të cilat kanë përfunduar pa rezultat.

Në këto takime Kurti ka patur edhe një ofertë për LDK-në, duke i ofruar këtij subjekti politik postin e zëvendëskryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe tri ministri të tjera në këmbim të bashkëpunimit për çështjen e Presidentit, oferta të cilat u refuzuan nga LDK-ja.

Kurti gjithashtu pati edhe një ofertë për Partinë Demokratike të Kosovës duke iu ofruar postin e Kryetarit të Kuvendit, ofertë e cila gjithashtu u refuzua.

Në lidhje me oferta e fundit të Kurtit ka folur për “Gazeta Blic”, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti.

Haliti tha se ‘politika nuk është punësim siç e konsiderojnë disa’.

Ai potencoi se PDK-ja s’ka kërkuar punësimin e dikujt e privilegjet që ka personi që zgjidhet President.

“Politika s’është punësim, siç e konsiderojnë disa. PDK s’ka kërkuar punësimin e dikujt e privilegjet që ka personi që zgjidhet President” deklaroi Haliti.

Haliti tha se Presidenti duhet të jetë i Kosovës dhe jo i një partie, bashkëpunues dhe me integritet.

“Ne po kërkojmë të zgjedhim një President të Kosovës e jo të një partie, një President bashkëpunues me të gjitha institucionet por me integritet Kushtetues, një noter të pa kontestueshëm për dekretet që nënshkruan, një gardian që respekton Kushtetuten” deklaroi Haliti në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

/Gazeta Blic/