Lajme

Haliti: Kurti po e vë në lojë opozitën, ai do t’i shtyjë sa më shumë zgjedhjet e Asociacionin

04/01/2024 14:49
nga:G B

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se kryeministri Albin Kurti do t’i shpallë zgjedhjet kur t’i konvenon atij, e jo kur kërkon opozita.

Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thekson se kjo pasi zgjedhjet asnjëherë në Kosovë s’janë mbajtur për shkak të presionit të opozitës.

“Sa ju përket deklarimeve për zgjedhje të parakohshme, unë kam deklaruar edhe më herët, që Albini do t’i shpallë zgjedhjet kur atij i konvenon e jo kur e kërkojnë partitë opozitare. Po e them këtë, për arsye se asnjëherë zgjedhjet e parakohshme në Kosovë nuk janë mbajtur nga presioni i opozitës, por me dëshirën e Kryeministrit, për shkaqe të ndryshme, por më të shumtat kanë qenë mosfunksionimi stabil i koalicionit. Tani shumica parlamentare është e rreshtuar dhe nuk ka të qara të dukshme të cilat e bëjnë qeverinë jofunksionale, gjë që ia mundëson Kurtit me e vu në lojë opozitën ashtu siç po e lëshon ndonjë llaf për zgjedhje të parakohshme”, shprehet ai.

Haliti vlerëson se as nga bashkësia ndërkombëtare s’ka presion për të pasur zgjedhje në Kosovë, pavarësisht vërejtjeve ndaj Kurtit.

“Por, edhe bashkësia ndërkombëtare, edhe përkundër pakënaqësive dhe vendosjes së masave ndaj Kosovës, duke përfshirë edhe vërejtjet që ka ndaj Kurtit, veçanërisht lidhur me dialogun, nuk po vërehet ndonjë presion i dukshëm e as dëshirë për ta çuar Kosovën në zgjedhje”, potencon ai për Gazeta Blic.

Për këtë, deputeti i PDK-së jep arsyet.

“Arsyet besoj lidhen me procesin e dialogut dhe afatet që u janë lënë të dyja palëve për të filluar zbatimin e marrëveshjeve, por edhe kriza dhe rreziqet që po i kanosen Evropës për shkak të luftës në Ukrainë dhe destabilizimit të mundshëm të Ballkanit duke u mbështetur në platformat e Memorandumit të dytë të Kishës Serbe dhe Akademisë së shkencave të Serbisë”, deklaron Xhavit Haliti.

Tutje, ai shton se Kurti e ka kufizuar opozitën në kërkesat e saj për zgjedhje, derisa ai nuk e ka dorëzuar ende draft statutin e Asociacionit në Kushtetuese.

“Prandaj, Kurti ka arritur që ta kufizojë opozitën në kërkesat e saj për zgjedhje të parakohshme. Ai akoma se ka dorëzuar Statutin për Asociacionin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese dhe ç’është e vërteta nuk është i përgatitur për t’u përballur eventualisht me opozitën e “bashkuar””, thotë ai.

Haliti thekson se me lutjen për zgjedhje, Kurti krijon përshtypje për qeverisje të përbashkët pas tyre.

“Prandaj, opozita duhet të bëjë përpjekje që në zgjedhje të shkojë e bashkuar dhe betejën për zgjedhje të parakohshme duke përfshirë edhe projektin e mundshëm për qeverisje të përbashkët. Duke marrë parasysh rezultatet e sondazheve dhe bazuar në opozitarizmin me lutje ndaj Kurtit për zgjedhje të parakohshme, krijohet përshtypja që po i vardisen me kërkesën “hajde të shkojmë në zgjedhje e pas zgjedhjeve formojmë qeveri të përbashkët””, vlerëson deputeti.

Andaj, krejt në fund, ai thotë se Kurti do t’i shtyjë sa më shumë zgjedhjet dhe Asociacionin.

“Përfundimisht mendoj që Kurti do përpiqet që sa më shumë ta shtyjë çështjen e Asociacionit e bashkë me këtë problem edhe zgjedhjet do t’i shtyjë. Opozita do të duhej që problemin e korrupsionit që është evident ta argumentojë dhe lëndët t’i paraqes në Prokurori”, përfundon deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti./Gazeta Blic/

Tërheqja e Kurtit për zgjedhje/ Haziri: S’pati interesim, ishte kurth politik për opozitën e mesazh shantazhues për ndërkombëtarët

Deputeti i VV-së: Jemi të gatshëm për zgjedhje qysh këtë javë – në zgjedhjet e ardhshme do të thyejmë rekord të ri