Lajme

Haliti: Ka përfaqësues të huaj që Kosovën e shohin si autonomi të Serbisë

02/03/2023 15:09
nga:Astrit Gashi

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti në një deklaratë për Front Online, duke folur për Asociacionin ka deklaruar se Kosova duhet të jetë shumë serioze në deklarime dhe veprime.

Pasi siç thotë ai, ka përfaqësues të huaj të cilët e shohin Kosovën si autonomi të Serbisë dhe dëshirojnë që kryeministri Kurti të bëjë sa më shumë gabime.

“Në qoftë se nuk kanë lojë të përbashkët Albini me Vuçiqin për t’i treguar vështirësitë që kanë të dyja palët për ta miratuar planin franko-gjerman ose planin evropian të mbështetur nga SHBA-ja atëherë unë mendoj që ka ra në grackën e Vuçiqit dhe të disa përfaqësuesve të cilët Kosovën e shohin si autonomi të Serbisë gjithmonë dhe ashtu e kanë parë edhe në të kaluarën dhe dëshirojnë që Kurti të bëjë sa më shumë gabime dhe të jetë i papranueshëm dhe të jetë problematik në diskutimet që bëhen në nivelet euro- amerikane lidhur me të ardhmen e Kosovës”, ka thënë ai.

I, pyetur se kush janë ata persona, Haliti nuk tregoi, duke thënë se e dinë ata kush janë.

“Ata që thash më herët kanë filluar, e kanë një rrjet të cilin e informojnë…janë të huaj të cilët nuk ia donë të mirën Kosovës dhe nuk e shohin Kosovën dhe as nuk kanë dëshirë ta shohin Kosovën të pavarur. Ata që po flas për ta e dinë dhe e kuptojnë për kënd po flas”, ka shtuar ndër të tjera deputeti Haliti.