Lajme

Haliti: Ftesa e Kurtit nuk ishte e ngrohtë, nëse do ta bënte Osmani do të ishte shumë më e pranueshme

05/01/2025 08:39
nga:G B

Xhavit Haliti nga Partia Demokratike të Kosovës, ka deklaruar se nuk ka asnjë problem nëse kryetari i partisë apo ndonjë përfaqësues tjetër i këtij subjekti merr pjesë në takimin konsultativ të thirrur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, për konstituimin e Kuvendit të ri.

Haliti tha se problemi nuk qëndron te pjesëmarrja në takim, por te përmbajtja e bisedimeve dhe ajo që Kurti ka për të ofruar.

“PDK nuk prish punë nëse shkon në takim kryetari i PDK-së, ose atë që e autorizon kryesia. Problemi është se çfarë përgjigje do t’i jepet Albinit dhe çfarë do të ofrojë ai,” u shpreh Haliti.

I pyetur për mënyrën se si e ka parë ftesën e Kurtit drejtuar liderëve të PDK-së dhe LDK-së, Haliti tha se ajo nuk ishte “e ngrohtë” dhe nuk u përcoll me ndjeshmërinë e duhur politike.

“Është disi jo e ngrohtë ftesa, nuk është e ngrohtë sepse secili subjekt ka integritetin e vet, secili kryetar partie ka përgjegjësitë e veta para elektoratit të vet dhe partisë së vet,” theksoi ai në tëvë1.

Sipas tij, një ftesë nga presidentja Vjosa Osmani do të kishte qenë shumë më e pranueshme dhe do të mundësonte një përgjigje më pozitive nga të gjitha partitë.

“Unë do e shihja disi më të pranueshme që të gjitha partitë të shkonin në zyrën e presidentes. Jo që të jetë nikoqire presidentja, por të jetë prezente. Ndoshta do ta kishin më lehtë ta kthenin përgjigjen pozitive dhe të uleshin bashkë. Mendoj që ftesa e presidentes do të ishte shumë më e pranueshme dhe po besoj që edhe përgjigjja do të ishte pozitive nga të gjithë pothuajse,” përfundoi Haliti.