Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Xhavit Haliti, ka theksuar se Kosova duhet të përshpejtoj zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë, përfshirë Asociacionin. Duke komentuar deklaratat e ambasadori shqiptar Petrit Malaj, ai tha se ato janë tërësisht në përputhje me qëndrimet e NATO-s, ShBA, dhe Bashkimit Evropian.
“Deklarata e Shkelqësisë së tij Ambasadorit Petrit Malaj, është tërësisht në përputhje me qëndrimet e NATO s, SHBA dhe BE, me të cilat politikat e shtetit të Shqipërisë duhet të jenë dhe janë të harmonizuara. Ai është Ambasador fuqiplotë i Republikes së Shqipërisë dhe deklarimet e tij duhet të jenë në pajtueshmëri të plotë me qëndrimet e shtetit. Petriti nuk është përfaqësues i ndonjë OJQ që për deklaratat e veta nuk i jep llogari askujtë”, tha Haliti për Gazeta Blic.
“Nëse më pyesni se a duhej të deklarohej mendoj që ka bërë shumë mirë që detyrimet e Kosovës dhe orientimin tonë pro integrimit në NATO, BE dhe në aleancë të ngushtë e të përjetshme me ShBA, që kanë Kosova e Shqipëria, e ka dhënë në emër të politikes shtetërore të Shqipërisë. Jam plotësisht dakord që duhet të përshpejtojmë bashkëpunimin dhe zbatimin e marrëveshjeve duke përfshi edhe çështjen e Asociacionit”, shtoi ai.
Haliti thotë trumbetimi politik publik që po bëhet për gatishmërinë e Kosovës për luftë, është i pa nevojshëm dhe nuk i hyn askujt në punë.
“Shëngeni Ballkanik, sot duhet ti përshtatet NATO-s e nesër integrimit në BE. Kjo është rruga që duhet ta ndjek shteti i Kosovës, rrugë e cila sjell për Ballkanin siguri, zhvillim ekonomik, evropianizim, zhvillim në kulturë e arsim dhe begati për të gjithë popullin. Trumbetimi politik publik për gjoja gatishmërinë tonë për luftë, është i panevojshem dhe askujt si hyn në punë. Mendoj që edhe në përputhje me këtë linjë ishte deklarata e djeshme e Ministrit të Jashtëm të Britanisë së Madhe lidhur me kufijtë e paprekshëm të Republikës së Kosovës”, përfundoi Haliti për Gazeta Blic.


