Lajme

Halitaj: Mosthemelimi i një komisioni hetimor, lë shije jo të mirë për pushtetin

04/19/2022 19:40
nga:Gazeta Blic

Gazetari i cili për vite të tëra ka përcjellë punën e Kuvendit, Agron Halitaj i ka komentuar zhvillimet e sotme në Kuvend.

Ai në një deklaratë të dhënë për Gazeta Blic ka theksuar se është e drejtë kushtetuese e opozitës të kërkoj krijimin e një komisioni hetimor.

“Të kërkosh themelimin e një komisioni hetimor parlamentar është e drejtë kushtetuese e opozitës”, vlerëson Halitaj.

Por, shton ai, në rastin konkret, partia në pushtet po e shfrytëzon një kriter të përcaktuar në ligj, i cili ia pamundëson opozitës që ta kenë kryesuesin e komisionit.

“Bëhet fjalë për nenin 10 të Ligjit për komisionin hetimor i cili shprehimisht e përcakton që “kryesuesi zgjidhet nga radhët e njërit grup parlamentar i cili nuk është iniciator i Komisionit hetimor dhe nuk i përket partisë së koalicionit qeverisës”, vlerëson Halitaj për Gazeta Blic.

Sipas tij, në njërën anë i kemi të gjitha grupet e partive opozitare si iniciatore të themelimit të komisionit, dhe në anën tjetër kemi partinë në pushtet, ku rrjedhimisht asnjëra palë, ligjërisht nuk mund ta ketë kryesuesin e komisionit.

“Për t’iu shmangur situatave të tilla, në vitin 2018 ishte bërë një përpjekje për ta plotësuar dhe ndryshuar këtë nen, ku parashihej që kryesuesi duhet të zgjidhet nga radhët e grupit parlamentar që është iniciator i komisionit parlamentar”, sqaron ai.

Por, Halitaj tregon se me shpërbërjen e Kuvendit, kishte pushuar edhe kjo iniciativë.

“Përndryshe, mosthemelimi i një komisioni hetimor, lë shije jo të mirë për pushtetin, pasi, mbase me të drejtë krijohet përshtypja se ka diçka për të fshehur nga hetuesit e mundshëm parlamentar”, thotë gazetari Halitaj, i cili përcjellë për vite të tëra punën e Kuvendit.

Ai ia ka rikutjuar Vetëvendosjes zotimin që e kishte dhënë sa ishte në opozitë, që kishte kërkuar transparencë dhe ishte zotuar për diçka të tillë.

“Meqë VV-ja ka qenë e zëshme për transparencë dhe llogaridhënie është dashur të mos e sjellë punën që opozita t’i mbledh 40 nënshkrime për krijimin e komisionit, por do ta votonte atë qysh në herën e parë kur është iniciuar nga GP i PDK-së”, përfundoi Halitaj.