Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka thënë se është shqetësuese paraqitja arrogante e Kurtit në konferencën për media, duke mos pasur asnjë strategji për kthimin e policëve të arrestuar nga Serbia, në shtëpitë e tyre, raporton Gazeta Blic.
Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Kurti pati vetëm akuza e retorika boshe, duke shtuar se është domosdoshmëri emergjenti koordinimi me aleatët.
Ajo ka përmendur edhe pezullimin e licencës së Klan Kosovës, derisa ka thënë se ky vendim është arbitrar dhe meriton reagim, pasi Kosova meriton qeverisje të mirë e jo regjim.
Postimi i saj i plotë:
Shqetësuese paraqitja arrogante e kryeministrit Albin Kurti në konferencën për medie. Asnjë strategji konkrete për kthimin e policëve të arrestuar nga Serbia, në shtëpitë e tyre.
Akuza e retorika boshe.
Koordinimi me aleatët e Kosovës është domosdoshmëri emergjente e jo leksione etike ndaj tyre.
Megjithëse dëmi i shkaktuar shtetit tonë, në raport me partnerët është jashtëzakonisht i madh.
Mllefi ndaj gazetarëve është i patolerueshëm, të cilët rrezikuan jetën e tyre për të raportuar drejt për gjendjen e krijuar në veri. Kjo qeveri çdo ditë është duke e rrezikuar shtetësinë e jetën e qytetarëve. Ndërsa, gabimet në qeverisje mësynë t’i kompensojë me frikësimin e mediave dhe izolimin e vendit.
Rasti i ndërhyrjes qeveritare në pavarësinë editoriale të Klan Kosovës, kinse për parregullsi në regjistrimin e biznesit është arbitrar dhe meriton reagim gjithëshoqëror!
Kosova meriton qeverisje të mirë, jo regjim!
Për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova, ka reaguar edhe Sekretari Gjeneral i Federatës Europiane të Gazetarëve, Ricardo Gutiérrez, i cili e ka cilësuar si një ditë zie për Kosovën, aktivizimin e shtetit në cenzurë ndaj Klan Kosovës.


