Lajme

Halimi: Radoiçiq mund të jetë brenda Kosovës, ai e organizoi tentim vrasjen ndaj Marko Jabllanoviqit

05/06/2024 15:36
nga:G B

Analisti Jeton Halimi ka thënë se Milan Radoiçiq mund të jetë në Kosovë.

Ai këtë e ka thënë në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova derisa po diskutohej për tentimvrasjen që ndodhi të dielën në Leposaviq ndaj Marko Jabllanoviqit, anëtarit të partisë së Nenad Rashiqit. Halimi madje potencoi se kryeorganizatori i këtij sulmi është vetë Radoiçiq, sepse sipas tij njerëzit e thjeshtë nuk mund të shkojnë ta kryjnë këtë sulm.

“Unë mendoj që këtu është metoda e njëjtë sikurse qysh është eliminu Oliver Ivanoviqi, këtë e kanë bërë qëllimisht dhe me prapavijë. Ia kanë kallëzuar dhëmbët se ne dimë edhe në këtë mënyrë. Vëllai i Markos, Aleksandër Jabllanoviqi ka bë marrëveshje me Radojçiqit dhe përderisa nuk ka marrë pjesë në zgjedhje sipas marrëveshjes, dhe ka marrë mjete dhe veturë të llojait xhip, dhe këta tjerët që nuk kanë dasht me ba marrëveshje dhe po e dinë një krizë potenciale që mund të iu dal prej lojës Mitrovica dhe tash po dihet që Radoiçiqi veç është në dijeni dhe krejt kryeorganizatori i kësaj dhe jo rastësisht mund të jetë edhe në veri sepse nuk munden njerëzit e thjeshtë me shku me vra dikë”, u shpreh Jeton Halimi.

Në anën tjetër, eksperti i sigurisë tha se nga ana e sigurisë, ky sulm mund të jetë edhe tentim vrasje edhe kërcënim.

“Nga ana e sigurisë nuk mund ta eliminoj as tentim vrasjen as aspektin që ka qenë vetëm kërcënim sepse janë dy gjëra të ndryshme”, tha eksperti Fetah Zejnullahu.