Sibel Halimi nga LDK-ja thotë se anëtarësimi i shpejtë në Bashkimin Evropian është cak shumë ambicioz, teksa shton se edhe performanca e liderëve për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian është shumë e rëndësishme, raporton GazetaBlic.
Halimi përmes një shkrimi në “Facebook”, thotë se Qeveria duhet të gjejë vendin për 75 milionë euro që u dërguan nga BE-ja si fonde mbështetëse.
Sipas saj, ky fond mbështetës do të ishte mirë që të përdorej në energjinë elektrike në mënyrë që mos të ketë reduktime gjatë kësaj periudhe.
Shkrimi i plotë:
Anëtarësimi i shpejtë në Bashkimin Evropian është cak shumë ambicioz, madje edhe për shtetet që udhëhiqen nga politikanë që injektojnë pritshmëri joreale. Megjithatë, performanca e liderëve për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian është shumë e rëndësishme. Kjo pamje do të mbetet vetëm imazh, nëse nuk fuqizohet politika e jashtme.
Hyrja në BE mund të jetë larg, mirëpo 75 milionë eurot e tyre – fonde mbështetëse për energjetikë – dje janë deponuar në buxhetin e Kosovës.
Qeveritarët tanë duhet të angazhohen për vënien e tyre në punë, që të mos kemi reduktime të rrymës që dëmtojnë mirëqenien e qytetarëve dhe rrënojnë ekonominë tonë. Krahas kësaj, kemi hyrë në muajin e tretë pa ministër në Shëndetësi.
Mjekët po ikin nga nënçmimi prej shtetit; qytetarët nga mungesa e shërbimeve shëndetësore; e të gjithë bashkë nga çmimet e shtrenjtuara të të gjitha produkteve bazike. Andaj, në vend të formaliteve pa efekt, kryeministri dhe kabineti i tij duhet të merren me gjëra të prekshme, që ndikojnë në përditshmërinë e qytetarëve tanë.


