Lajme

Halimi për djegien e objektit të IML-së: Në vend se të zbardhet e vërteta, i vihet flakë asaj!

11/21/2023 16:30
nga:G B

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka thënë se duhet të hetohet djegia e një pjese të objektit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, i cili menaxhohet nga Ministria e Drejtësisë, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se qytetarët duhet ta dinë nëse ka pasur dëmtim të provave që gjenden aty.

Ajo ka shtuar se është pamje e dhimbshme e drejtësisë në vend që të digjet ky Institut, duke shtuar se në vend se të zbardhet e vërteta, i vihet flakë asaj.

Postimi i saj i plotë:

Djegia e një pjese të objektit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, i cili menaxhohet nga Ministria e Drejtësisë, duhet të hetohet menjëherë nga organet përkatëse. Për më tepër, qytetarët kanë të drejtë të dinë nëse ka pasur dëmtim të provave që gjenden aty.

Rreth një vit më parë ishin zhdukur prova në këtë rast të ndjeshëm; muaj më herët kishte shpërthyer një zjarr aty; ndërsa tani sërish zjarr në këtë institut?

Fatkeqësisht kjo është pamja e dhimbshme e drejtësisë në vend! Në vend se të zbardhet e vërteta, i vihet flakë asaj!