Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi i ka reaguar deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli e cila dje në seancën e Kuvendit të Kosovës ka bërë thirrje për rregullim qeveritar të mediave.
Halimi, përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, ka shkruar se fatkeqësisht sulmi ndaj medieve është shndërruar në mjet komunikimi nga pushteti politik.
Sipas saj, kjo po ndodhë për shkak që kjo qeveri po demonstron paaftësi.
Postimi i saj i plotë:
Gazetarët në Kosovë sot ballafaqohen me probleme nga më të ndryshme. Kërcënimet, shantazhet e madje edhe sulmet fizike janë bërë përditshmëri për punën e tyre. Mirëpo, përkundër sfidave të ndryshme, gazetarët e bëjnë të mundur jetësimin e vlerave fundamentale të lirisë së shprehjes.
Falë sensit qytetar dhe guximit të tyre për të kritikuar, bëhen zëri më i artikuluar i problemeve që sot i kanë qytetarët e vendit.
Derisa, fatkeqësisht sulmi ndaj medieve është shndërruar në mjet komunikimi nga pushteti politik. Praktikë kjo, e njohur, kur një qeverisje demonstron paaftësi, gjithmonë bartë problemin tek mediat. Në shoqëritë demokratike mediat janë pasqyrë e qeverisjes së mirë, mirëpo, për partinë në pushtet është ballafaqimi i vërtetë i realitetit të hidhur, e cila vështirë të pranohet.
Partitë në pushtet vijnë e shkojnë, por mediat mbesin kujdestare të vlerave të demokracisë.


